×
  • Lajme
  • Botë

    Trump-bizneseve botërore: Investoni në ShBA ose paguani tarifa

    Reporteri
    24 Janar 2025 | 16:24

    Presidenti Donald Trump shpalosi qasjen e tij ndaj investimeve të huaja në takimin më të madh të udhëheqësve botërorë të biznesit, duke u ofruar investitorëve një ofertë me kushte – të investojnë në Shtetet e Bashkuara, ose të përballen me tarifa të ashpra. 

    Përballë krerëve kryesorë të industrisë botërore, që synojnë një copë të tregut më të madh në botë, Presidenti Donald Trump u dha dy opsione:

    “Mesazhi im për bizneset në botë është shumë i thjesht. Ejani për t’i prodhuar artikujt tuaj në Amerikë dhe ne do t’ju ofrojmë ndër tatimet më të ulëtat në botë. Por nëse nuk i prodhoni ato në Amerikë, që për ju është privilegj, atëherë shumë thjesht, duhet të paguani një tarifë”, deklaroi ai.

    Mesazhi i Presidentit Trump dalloi nga ai i udhëheqësve të fuqive të tjera të mëdha, që ishin të pranishëm në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, të cilët nënvizuan qasjen multilaterale në këtë takim vjetor mbi bashkëpunimin e sektorit publik dhe atij privat, ku figura të rëndësishme diskutojnë mbi sfidat botërore dhe rajonale – përfshirë çështjet e ambientit dhe energjisë – tronditjet gjeopolitike dhe çështjet si të përmirësohet standardi i jetesës dhe të nxitet zhvillimi ekonomik. Presidenti Trump bëri thirrje për një “marrëdhënie të ndershme” me ekonominë e dytë më të madhe botërore, Kinën.

    Zëvendës-kryeministri i Kinës, Ding Xuexiang paraqiti qëndrimin e Pekinit.

    “Globalizimi ekonomik është rezultat i përparimit shoqëror dhe avancimit teknologjik dhe nuk mund të ndalet. Izolimi nuk zgjidh probleme dhe luftërat tregtare nuk i ndihmojnë askujt. Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për t’i dhënë drejtim globalizimit ekonomik, duke e ngritur në një nivel më të lartë, më dinamik, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm”, tha ai.

    Analistët sqaruan logjikën e përkushtimit publik të Presidentit Trump për të garantuar furnizimin me gaz natyror të lëngshëm të Evropës – një veprim që disa thonë se mund të rrisë çmimet për amerikanët.

    “Eliminimi i varësisë evropiane ndaj gazit natyror dhe karburanteve ruse është një objektiv shumë i rëndësishëm i politikës së jashtme të Presidentit. Ai ishte shumë kritik në të kaluarën, sidomos ndaj Gjermanisë, për autorizimin e gazsjellësit Nord Stream 2, që çoi në rritjen e varësisë gjermane dhe evropiane ndaj Rusisë dhe lëndëve fosile”, thotë analisti Bill Galston pranë Institutit Brookings.

    Të pranishmit në fjalimin e Presidentit Trump, mbi 3000 persona nga mbi 130 shtete, ndanë përshtypjet e tyre më pas.

    “Mendoj se thelbi i mesazhit që evropianët duhet ta nxjerrin nga ky fjalim është se duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë për të konsoliduar rritjen ekonomike”, thotë Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Barth Eide.

    “Fjalimi dëshmoi se njëra prej arsyeve që i fitoi zgjedhjet është aftësia e tij për të folur zëshëm. Mund të mos pajtoheni me të gjitha, por ai flet me shumë autoritet”, tha ish diplomati amerikan Stuart Eizenstat, ish këshilltar i Presidentit amerikan Jimmy Carter.

    Për Agnes Callamard, drejtuesen e organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, fjalimi i Presidentit Trump ishte i përqendruar në vizionin amerikan.

    “Ishte një fjalim i përqendruar vetëm në vizionin amerikan. Asgjë për pjesën tjetër të botës”, tha ajo.

    Forumi Ekonomik Botëror i mbyll punimet të premten me një diskutim për disa nga sfidat më urgjente të botës./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!