Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se në Grenlandë pritet të nisë një eksplorim “masiv” për naftë, gaz dhe minerale.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social” të mërkurën, Trump tha se ishulli i Arktikut – një territor danez me vetëqeverisje – zotëron disa nga rezervat më të mëdha në botë të naftës që mund të nxirret “lehtësisht”.

“Po përgatitet të nisë eksplorimi masiv për naftë, gaz dhe minerale në Grenlandën tonë të re dhe të bukur!”, tha Trump në një postim në “Truth Social”.

Reklamë

“Sasia e naftës lehtësisht të disponueshme është shumë më e madhe se ajo në pothuajse… çdo vend tjetër të botës”, shkroi ai, duke cituar ekspertë.

Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi përfshirjen e mundshme të SHBA-së, shkruajnë mediat e huaja.

Muajin e kaluar, Trump arriti një marrëveshje sigurie me udhëheqësit e Danimarkës dhe Grenlandës, e cila zgjeron rolin e ushtrisë amerikane në ishull.

Marrëveshja hap rrugën për dy baza të reja ushtarake dhe për sistemin e mbrojtjes raketore “Golden Dome” (Kupola e Artë) të planifikuar nga Trump, ndërsa riafirmon sovranitetin danez dhe të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje.

Reklamë

Marrëveshja synonte t’i jepte fund një krize gati dyvjeçare, të shkaktuar nga refuzimi i Trumpit për të përjashtuar mundësinë që SHBA-ja ta merrte Grenlandën me forcë.

Në postimin e tij në rrjetet sociale të mërkurën, Trump vlerësoi gjithashtu avantazhet e sigurisë që si SHBA-ja, ashtu edhe Evropa, kanë fituar nga pakti i muajit të kaluar, duke i cilësuar ato si “të pakrahasueshme”.

Ai tha se asnjë sulm ajror kundër SHBA-së nuk mund të kryhej pa kaluar mbi Grenlandë, duke argumentuar se, si pasojë, Uashingtoni do të ishte në gjendje të neutralizonte çdo kërcënim.

“Çdo sulm i ardhshëm ndaj Shteteve të Bashkuara do të duhet të kalojë përmes Grenlandës, ku mbrojtja jonë do të rrëzojë në mënyrë rutinore dronët, raketat apo çdo formë tjetër arme që ende nuk është konceptuar”, theksoi Trump.

Reklamë

“Kjo na jep kohë, vendndodhje dhe vijë shikimi, si askund tjetër në botë!”.