Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka anuluar planet për transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit të ish-psikiatrit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, përmes pushkatimit.
Trumpi më parë ka thënë se e kishte miratuar transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit të sulmuesit të bazës “Fort Hood”, ndërsa nënpresidenti JD Vance kishte hedhur dyshime për atë nëse një gjë e tillë do të ndodhte dhe kishte thënë se, nëse ndodh, nuk do ta shikonte, raporton televizioni BBC.
Vendimi i Trumpit për ta anuluar transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit erdhi pas kritikave të gjera brenda e jashtë vendit. Të enjten, ai tha se “shumë njerëz shumë të mirë e me qëllime të mira më parë nuk do ta shikonin atë duke vdekur”, duke iu referuar të dënuarit.
“Ai do të vdesë, sipas planit, përmes pushkatimit, por kjo ngjarje nuk do të transmetohet” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Hasan kishte qëlluar për vdekje 13 ushtarë të paarmatosur amerikanë në një bazë ushtarake në Teksas më 2009, ndërsa kishte plagosur 32 të tjerë. Ekzekutimi i tij me pushkatim do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në më shumë se 60 vjet.
Trumpi tha se familjet e viktimave prapëseprapë mund ta shikojnë ekzekutimin personalisht, nëse dëshirojnë. “Ata meritojnë që të jenë dëshmitarë të drejtësisë” – deklaroi ai.