Qeveria e Grenlandës kundërshtoi të mërkurën pretendimin e presidentit Donald Trump se “po përgatitet të fillojë eksplorimi masiv i naftës, gazit dhe mineraleve” në territorin e Arktikut.

Ndërsa zëvendësministri i minierave i Grenlandës, Jørgen Hammeken-Holm, pranoi se “ka aktivitete nga kompanitë amerikane”, ai i tha CNN-it se “jemi shumë larg eksplorimit ‘masiv'”.

“Ka shumë eksplorime më të vogla në zhvillim e sipër, por mund të duhen vite që ato të bëhen operacionale”, ka shtuar ai, duke mbështetur studiuesit që kanë theksuar vështirësitë dhe kostot e mëdha që lidhen me nxjerrjen e burimeve nga Grenlanda.

Reklamë

Shumë nga depozitat e ishullit ndodhen në zona të largëta mbi Rrethin Arktik, ku shtrihet një shtresë akulli polar me trashësi rreth 1.6 kilometra dhe ku infrastruktura është e kufizuar. Përafërsisht 80% e ishullit është e mbuluar me akull.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të marrë nën kontroll Grenlandën – një territor autonom i Danimarkës – dhe burimet e saj natyrore, duke zemëruar partnerët evropianë dhe ata të NATO-s.

“Ka ekspertë që thonë se sasia e naftës lehtësisht të disponueshme është shumë më e madhe se ajo e pothuajse çdo territori tjetër në botë”, shkroi Trump në platformën “Truth Social” në orët e para të së mërkurës.

Muajin e kaluar, SHBA-ja, Danimarka dhe Grenlanda arritën një marrëveshje që synonte të ndihmonte në zgjidhjen e tensioneve pas kërcënimeve të Trumpit për të aneksuar ishullin me pozicion strategjik.

Marrëveshja, për të cilën Trump pretendoi në atë kohë se i jepte SHBA-së “kontroll të përhershëm” mbi sigurinë e Grenlandës, fillon me njohjen e sovranitetit të Danimarkës dhe të drejtës së banorëve të Grenlandës për vetëvendosje.

Reklamë

Marrëveshja, e cila bën ndryshime të vogla në një traktat të vitit 1951 që i jep SHBA-së leje për të vendosur trupa në Grenlandë si pjesë e mbrojtjes së NATO-s, nuk përmend në mënyrë eksplicite naftën apo gazin, por njeh “bashkëpunimin për mineralet” dhe “bashkëpunimin për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e biznesit”, pa detaje të mëtejshme, sipas tekstit të marrëveshjes të publikuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo gjithashtu hap rrugën për baza shtesë amerikane dhe garanton qasjen ushtarake të SHBA-së nëse Grenlanda bëhet e pavarur nga Danimarka.

Në postimin e tij të së mërkurës, Trump tha: “Çdo sulm i ardhshëm ndaj Shteteve të Bashkuara do të duhet të kalojë përmes Grenlandës, ku mbrojtja jonë do të rrëzojë në mënyrë rutinore dronë, raketa apo çdo formë tjetër arme”.