×
  • Lajme
  • Botë

    Vrasja e 32 personave, nis gjyqi për sulmet terroriste të Brukselit 2016

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 22:24

    Procesi për sulmet terroriste të Brukselit nisi të hënën në kryeqytetin belg. Bëhet fjalë për një gjyq të jashtëzakonshëm. 10 të pandehur po gjykohen për sulmet e 22 marsit 2016 në aeroportin dhe një nga stacionet e metrosë së Brukselit, që mori jetët e 32 njerëzve.

    Thuajse 1 mijë persona pritet të ndjekin procesin, me personat e plagosur që do të dëshmojnë dhe të afërmit e viktimave që do ta ndjekin për interes personal. Për disa, ky është fillimi i një sprove të re.

    “Jam shumë e stresuar dhe po pres të shoh me ankth atë që do të ndodhë. Është dita e parë, ndaj ishte e vështirë. Hezitova deri në momentin e fundit dhe i thash vetes se duhet të isha e pranishme. Ndaj, pak nga pak do të shohim se si do të shkojë. Kur je i shoqëruar është gjithmonë më e lehtë”, thotë Loubna Selassi, familjare e një prej viktimave.

    Palë të tjera civile duket se duan mbi të gjitha të lënë pas këtë plagë. Esmael Fazal Sarah humbi motrën e saj në sulmin në metro, por nuk pret shumë nga ky gjyq.

    “Nuk kam urrejtje. Aspak. Nuk i kam takuar kurrë më parë të akuzuarit. Pamja nuk ka të bëjë shumë për mua. Jam në paqe me veten time dhe sikurse e kam thënë më parë, nuk ndjej urrejtje ndaj të akuzuarve”, shprehet Esmael Fazal Sara.

    Nga 10 të pandehurit, 9 janë në bankën e të akuzuarve në Bruksel. Çështja është nëse do të duan të flasin gjatë seancave. Për avokatët, është e nevojshme që debatet të mbahen dhe që secili të mund të shprehet.

    “Mendoj se është me rëndësi të dëgjohen të gjitha palët. Është dinjitoze të dëgjosh vuajtjet e tyre. Dhe ajo që do të mund të themi do të jetë se nuk po fshihemi prapa së drejtës për të qëndruar të heshtur. Por ne jemi të bindur se debati gjyqësor është i domosdoshëm dhe se duhet të flasim, t’i sqarojmë veprimet tona, t’u përgjigjemi pyetjeve të palës civile. Duhet të kemi parasysh se nuk janë vetëm 9 të akuzuarit përgjegjës për atë që ndodhi”, thotë Vincent Lurquin, avokat i një prej të akuzuarve.

    Sipas parashikimeve, gjyqi pritet të zgjasë nga 6 deri në 8 muaj dhe të gjithë të pandehurit rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm./Euronews.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!