×
  • Lajme
  • Lajme

    Brenda javës, dy gra viktima të vrasjeve makabër në Prishtinë – njëra u qëllua me sëpatë nga burri, tjetra me armë zjarri para QKUK-së

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 22:04

    Dy gra janë vrarë, në mënyrë makabre, brenda një jave në Kosovë. Një shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë sot në oborrin e QKUK’së, me armë zjarri. Vrasja tjetër ka ndodhur në orët e para të së premtes, ku një 63-vjeçare është vrarë më sëpatë. Në të dy rastet, të dyshuar për vrasje janë bashkëshortët e viktimave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë sot bashkë me foshnjën e saj të palindur, në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Raportohet se e njëjta ishte në javën e 41’të të shtatzanisë.

    Vrasja ka ndodhur rreth orës 18:00, para objektit të Klinikës së Gjinekologjisë, ku viktima kishte shkuar për të kryer lindjen e fëmijës së parë.

    I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, i cili ishte denoncuar për dhunë në familje më herët. I njëjti ndodhet ende në arrati.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë e ka konfirmuar se viktima e kishte raportuar bashkëshortin në Polici për dhunë në familje, në muajin korrik të këtij viti.

    Sipas saj, viktima dhe i dyshuari për vrasje kanë qenë në prag të divorcit.

    Balaj ka thënë se edhe në këtë rast, organet e drejtësisë kanë dështuar ta mbrojnë viktimën dhe se s’ka pasur as urdhër mbrojtës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Rasti në fjalë është raportuar në Korrik të vitit 2022 dhe sot e ndjera është dashur ta ketë mbrojtjen e institucioneve, por për fat të keq sot edhe sot e kemi edhe një rast me fatalitet, si neglizhencë apo mosveprim institucional. Sipas të dhënave që i kemi si MD, kjo ka qenë para procesit të ndarjes si pasojë e dhunës në familje…Kur flas për moskryerje të përgjegjësive, gjithmonë e kam fjalën nëse rasti është raportu në Polici dhe nga Policia është përcjellë te Prokuroria, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet në sistemin prokurorial apo sistemin gjyqësor. Sipas informacioneve, rasti s’ka pas as urdhër mbrojtës të lëshuar”, ka deklaruar Bala në ATV.

    Kjo është gruaja e dytë që është vrarë brenda kësaj javë. Hiç më larg se të premten, një grua tjetër është vrarë në Prishtinë.

    Një 63-vjeçare dyshohet se është vrarë me sëpatë nga bashëshorti i saj 70-vjeçar.

    Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kishin bërë me dije se i dyshuari për vrasje ishte dorëzuar në Polici, rreth orës 04:40.

    “Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë. Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”, kishte njoftuar Prokuroria.

    Sipas Prokurorisë, motivi i vrasjes s’dihet ende.

    “Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhej në komunikatë./Reporteri.net

    Detaje të reja: 70 vjeçari dyshohet se vrau me sëpatë gruan e tij në Prishtinë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!