×
  • Lajme
  • Lajme

    Burri kosovar rrëfen për dhunën që gruaja e tij me sëmundje mendore ushtroi ndaj familjes së tij

    Reporteri
    28 Maj 2020 | 20:53

    Dhuna fizike dhe ajo psikike është bërë pjesë e jetesës së Q.S., tash e 18 vjet, qëkur është martuar me gruan e tij, S.S, e cila ka probleme mendore.


    Përgjatë këtyre vjetëve, çifti u bë me 5 fëmijë. Por, kushtet e rënda ekonomike Q.S i kanë pamundësuar trajtimin mjekësor për bashkëshorten, e cila në baza ditore ushtron dhunë fizike mbi familjen e saj 6-anëtarëshe, raporton KOHA.

    Gjatë një interviste për KTV-në Q.S, tregoi se sa e rëndë është çdo ditë për familjen. Për më tepër shtoi se është munduar ta ndihmojë bashkëshorten, megjithatë asnjëherë nuk ka pasur sukses, pasi që gjendja e saj është e rëndë.

    Pas një episodi të dhunshëm, familjarë të largët e kishin denoncuar në polici, 40-vjeçaren, S.S. Ajo ishte arrestuar dhe ishte dërguar në paraburgim në Qendrën Korrektuese në Lipjan për dy muaj.

    Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se personi në fjalë, bazuar në Aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në paraburgim ka qëndruar nga 27 shkurti deri më 27 prill.

    Pas kësaj, me urdhër të Gjykatës e njëjta është dërguar për vlerësim të gjendjes mendore në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

    “E paraburgosura në fjalë është hospitalizuar në Repartin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë nga data, 10.03.20202 deri më, 17.03.2020. Me datën, 27.04.2020 është dërguar në seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, është liruar dhe iu është dorëzuar Policisë për ta dërguar në shtëpinë e saj”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

    Nga Gjykata Themelore e Prishtinës thonë se lënda me të gjitha shkresat është dorëzuar në Gjykatën e Apelit.

    E Instituti i Psikiatrisë Forenzike i ka propozuar Gjykatës të shqiptojë masën e trajtimit të detyruar në liri, masë e cila do të zbatohet në Qendrën e Shëndetit Mendor në komunën përkatëse.

    Ky institut kishte ardhur në përfundim se S.S vuan nga çrregullimi i personalitetit kufitar. Ky çrregullim karakterizohet me përmirësime dhe përkeqësim të gjendjes mendore. Simptomat e kësaj sëmundjeje janë, jostabiliteti emocional dhe çrregullimet e sjelljes etj.

    Këta persona vuajnë nga çrregullimi i pasqyrimit të vetes, pritjet e brendshme janë të paqarta dhe janë të shoqëruara me ndjenjën kronike të boshllëkut.

    Mbrojtja e 40-vjeçares ka kërkuar të shqyrtohet dënimi më i butë, pasi që Gjykata Themelore ka vendosur për 8 muaj burgim efektiv dhe dënim me gjobë prej 100 eurosh. Përderisa nga Gjykata e Apelit kanë thënë se lënda ka ardhur në këtë institucion gjatë së martës dhe ajo do t’i përcillet Prokurorisë së Apelit për opinion ligjor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!