×
  • Lajme
  • Lajme

    CNN: Kosova i bën thirrje NATO’s për ndërhyrje pas një fundjave me tensione etnike në rritje

    Reporteri
    12 Dhjetor 2022 | 12:33

    CNN, i ka kushtuar Kosovës një artikull lidhur me tensionimet e fundit në veriun e Kosovës dhe raportet Kosovë-Serbi.

    Kryeministri i Kosovës u bëri thirrje trupave paqeruajtëse të NATO-s që të ndërhyjnë pasi protestuesit e pakicës serbe bllokuan rrugët dhe persona të armatosur të panjohur shkëmbyen zjarr me policinë gjatë fundjavës mes tensioneve etnike në rritje në veriun e trazuar të vendit, shkruan sot CNN.

    Në një konferencë për media në Prishtinë të dielën, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga Forca e Kosovës (KFOR), forca paqeruajtëse ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO, ta garantojë “lirinë e lëvizjes”, pasi i akuzoi “bandat kriminale” për bllokimin e rrugëve.

    Një paqe e brishtë është ruajtur në Kosovë që kur kjo e fundit e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas luftës së viteve 1998-99, në të cilën NATO ndërhyri për ta mbrojtur shumicën shqiptare të Kosovës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Në javët e fundit, minoriteti serb në Kosovën veriore i janë përgjigjur me rezistencë të dhunshme lëvizjeve të Prishtinës që ata i shohin si antiserbe.

    Të shtunën, protestuesit serbë bllokuan rrugët kryesore pas arrestimit të një ish-polici serb. Policia e Kosovës më vonë u gjend nën breshërinë e zjarrit me armë të lehta në disa lokacione dhe u kundërpërgjigj në vetëmbrojtje, thotë komunikata e policisë së Kosovës në një njoftim për media.

    Ndërkohë, një shok-bombë është hedhur në veturën e EULEX-it, misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Nuk ka pasur të lënduar.

    Ish-zyrtari i policisë së Kosovës “akuzohet për kryerjen e akteve terroriste dhe sulmin ndaj rendit kushtetues”, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e akuzojnë atë për organizimin e sulmeve ndaj komisionit zgjedhor dhe policisë së Kosovës.

    Pas shpërthimit të kësaj shok-bombe, BE, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kërkuan përmbajtje nga të dyja palët dhe kërkuan heqjen e barrikadave.

    Autoritetet kosovare gjithashtu morën vendim për shtyrjen e zgjedhjeve lokale për muajin prill të cilat pritej të mbaheshin fundjavën e ardhshme.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të shtunën se Beogradi do t’i kërkojë KFOR-it që ta lejojë Serbinë ta vendosë ushtrinë dhe policinë në Kosovë, por pranoi se nuk ka asnjë shans për ta marrë një leje të tillë.

    Të dielën, Vuçiç tha se Serbia kërkoi lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga veriu i Kosovës, por gjithashtu kërkon t’i zbusë tensionet në rajon, raporton tutje CNN.

    Vuçiq i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë dhe kryeministrin e Kosovës Kurti për nxitje të tensioneve duke marrë “vendime të panumërta e të njëanshme”.

    Kryetarët serbë në komunat veriore të Kosovës, së bashku me gjykatësit vendas dhe rreth 600 policë, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar në shenjë proteste ndaj një vendimeve të qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e veturave të lëshuara nga Beogradi me ato të lëshuara nga Prishtina.

    Kosova më vonë ra dakord ta shtyjë vendimin dhe Beogradi u pajtua se do ta ndalojë lëshimin e targave të reja serbe të veturave.

    Ndërkohë, Beogradi dhe Prishtina po zhvillojnë bisedime në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve dhe BE ka prezantuar tashmë një plan, përfundon artikullin e saj rrjeti televiziv amerikan. /kallxo.com/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!