×
  • Lajme
  • Lajme

    Çollaku: Me PDK-në në qeverisje, përbërja në çdo institucion do të jetë 50/50

    Reporteri
    24 Shtator 2022 | 18:13

    Në kuadër të Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, është mbajtur paneli i pestë i diskutimit me temën “Gratë, Diplomacia dhe Politika e Jashtme”.

    Në këtë panel, i cili u moderua nga Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj morën pjesë Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ish-ambasadorja Mimoza Ahmetaj, anëtarja e PDK-së në Kaçanik, Kosovare Murseli dhe Sekretari i PDK-së për Integrime Euro-Atlantike, Bekim Çollaku.

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj përfaqësimi 50/50 është proporcioni i drejtë dhe i duhur, jo vetëm në poltikën e brendshme, por edhe në atë të jashtme.

    “Në hierarkinë e temave nuk ka ndonjë temë, e cila është më e rëndësishme sot në politikën e brendshme dhe atë të jashtme se sa përfaqësimi i drejtë, i plotë dhe i mirëfilltë gjinor. PDK këtu po shkel një rrugë që nuk e ka shkelur të tjerët deri më tash meqë 50/50 është proporcioni i drejtë dhe i duhur dhe në këtë drejtim dua të falendëroj secilin që ka kontribuar në shprehjen e këtij qëllimi dhe kësaj kauze, të cilën do ta ndërtojmë së bashku”, tha Hoxhaj.

    Ish-ambasadorja Mimoza Ahmetaj, tha se politika e jashtme është komponentë e shtetësisë dhe institucioneve të Kosovës.

    “Nuk mund të flitet për politikë të jashtme të suksesshme, nëse kthehemi dhe e shohim dhe e mendojmë se kjo qeveri të cilën aktualisht e kemi, është duke e shkatërruar shtetin nga brenda dhe raportin dhe dialogun që do të duhej ta ndërtonte me qytetarin e vet e ka sjellë në nivelin më të ulët. Politika e brendshme e shtetit të Kosovës, reflektohet në politikën e jashtme”, tha ajo.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku u shpreh se Kosova sot nuk ka politikë të jashtme dhe diplomaci fare.

    “Roli i partive politike nuk është vetëm marrja e pushtetit. Roli i partive poltike është edhe emancipimi shoqëror. Sot PDK e ka marrë një hap të madh, jo vetëm për veten, por për shoqërinë. Unë shpresoj që kjo aspiratë të ndiqet edhe nga partitë tjera. Gjërat e mira është mirë me i kopju. E vërteta është që Kosova sot nuk ka politikë të jashtme fare. Kosova nuk ka diplomaci fare. Politika e jashtme e Kosovës është në rënie të lirë. E them këtë me keqardhje”, shtoi Çitaku.

    Sekretari i PDK-së për Integrime Euro-Atlantike, Bekim Çollaku tha se diplomacia kosovare duhet të përfaqësohet nga gra kompetente për të ndërtuar paqe dhe për të shmangur konflikte.

    “Pjesëmarrja e grave 50/50, po edhe më shumë, aty ku ka mundësi, do të ishte kontributi më i madh që do të mund ta bënte PDK në ditët e para të ardhjes së saj në pushtet. Domethënë ta mbushë diplomacinë kosovare me sa më shumë gra kompetente. Sepse kur gruaja është kompetente, ajo bëhet mjeti më i rëndësishëm që i jep vlerë dhe që garanton një sukses të padiskutueshëm të politikës së jashtme”, shtoi Çollaku.

    Kosovare Murseli tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet ta ketë me prioritet angazhimit e madh të grave profesioniste në politikë të jashtme për ta ngritur nivelin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në fushën diplomatike.

    “Për arritjen e objektivave strategjike të politikës së jashtme duhen edhe gra diplomate, gra që me shkathtësitë e prezantuara dhe profesionalizëm të dëshmuar e lartësojnë integritetin e shtetit dhe kombit tonë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si bartëse përgjegjëse e politikës së jashtme duhet ta ketë me prioritet që përmes angazhimit të madh të grave profesioniste nga fushat e ndryshme në politikë të jashtme ta ngris nivelin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në fushën diplomatike”, theksoi Murseli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!