×
  • Lajme
  • Lajme

    Daut Haradinaj-Qeverisë: Është mirë me dëgju Amerikën

    Reporteri
    28 Tetor 2022 | 19:53

    Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë zbatimin definitiv të vendimit për targat deri më 21 prill dhe ta zbatojë atë me një plan të përshkallëzuar masash.

    Haradinaj ka shkruar shkurt, duke thënë se është mirë të dëgjohet Amerika.

    “Është mirë me e dëgju Amerikën”, ka shkruar ai.

    Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

    SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.

    Ky reagim i SHBA-së vjen në ditën kur Qeveria e Kosovës miratoi një plan për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.

    “Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!