×
  • Lajme
  • Lajme

    Deklarata e Ministrit Murati, veteranët paralajmërojnë protestë

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 22:39

    Veteranët e luftës kanë paralajmëruar protesta përsëri para Kuvendit të Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, për të kundërshtuar mospërfshirjen në Projektligjin për Pagën Minimale, që ende nuk ka kaluar në lexim të dytë. Shkas për këtë është bërë një deklarim i ministrit të Financave, Hekuran Murati që tha se duhet të ketë edhe riverifikim të listave, shkaku i fryrjes së numrave të veteranëve që përfitojnë ndihmë financiare nga shteti

    Kjo deklaratë e ministrit, Hekuran Murati për listat e fryra të veteranëve që e bëri në Gjakovë, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ka nxitur reagimin e veteranëve të luftës.

    OVL e UÇK-së ka paralajmëruar protesta para Kuvendit të Kosovës, si vazhdimësi e atyre të verës kur ky Projektligj kaloi në Kuvend.

    “Ne qëndrojmë prapa qëndrimit tonë qysh kur e kemi ba dy protesta në momentin që ata e binë në lexim të dytë projektligjin që i hekë veteranët nga paga minimale, serish ne do të kemi protesta. Qeveria po i mashtron veteranët edhe opinion që nga qershori pasi janë disa muaj që ne s’jemi taku asnjëherë që nga momenti i dërgimit të shkresës. Nuk mund të bëhet as verifikimi, pasi dosjet janë në Prokurori dhe landa është në Gjykatë”, ka thënë Faton Klinaku nga OVL e UCK-së.

    Për fatin e këtij projektligji, tash e pesë muaj nuk dinë as partitë opozitare.

    Sipas deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj, pikërisht kategoria e veteranëve duket të jetë arsye pse deputetëve nuk po iu sillet në Kuvend Projektligji për Pagën Minimale.

    “ Nuk kam ndonjë shpjegim, as ne si deputetë se dimë pse po prolongohet ky ligj dhe po shihet se problemi është veteranët, njëri që i ka ofendu veteranët tash mirret më ta. Është një proces gjyqësorë për çështjen e veteranëve dhe s’duhet të merret ministri as Qeveria. Unë shpresojë që mos të vije deri te protesta e veteranëve”, ka thënë Qalaj.

    Se do të përkrahin veteranët edhe në Kuvend por edhe jashtë tij, e thotë edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    “Lidhur më ligjin për pagën minimale mendoj që Qeveria dhe Kuvendi I kanë kaluar të gjitha afatet. Kjo Qeveri çdo herë ka premtuar por asnjëherë se ka realizuar dhe nuk e ka krijuar një hapësirë më Veteranët. Nëse ligji për pagën minimal nuk I përfshinë veteranët është forma më diskriminuese. Duhet patjetër në ligjin për paga të përfshihet kjo kategori përndryshe ne do të mbështesim veteranët e luftës në çdo formë”, ka thënë Lekaj.

    Për vonesat në trajtimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe paqartësitë që Qeveria ka me veteranët për të, gjatë ditës nuk është dhënë përgjigje as nga Ministria e Financave e as nga Kuvendi i Kosovës.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të 14 qershorit, votuan në lexim të parë Ligjin për pagën minimale, i cili la jashtë kategorinë e veteranëve të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës./RTV Dukagjini

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!