Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reguar pas një interviste të fundit të kryeministrit Kurti, ku ai flet për SHBA-në, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Haradinaj e quan Kurtin “të mjerë”, teksa thotë se kryeministri Albin Kurti flet vetëm në emër të vetin, e jo të popullit Kosovës.
“Albin Kurti flet në emër të vetin e jo të Kosovës. Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash “mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj”! Sytë e Amerikës kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë!”, ka shkruar Haradinaj.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk pret që SHBA-të që ta shohin Beogradin me sytë e Albin Kurtit.
Kurti një intervistë në emisionin “Public Square” me Ditmir Bushatin, tha se SHBA-të duhet që të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha nuk pret nga Amerika ta shohë Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.
“SHBA-të duhet të kujdesen për demokracitë në të gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu e kuptoj se kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht mund të ketë nganjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve. As nuk pres nga SHBA që ta shohin Beogradin zyrtar me me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Departamentin Amerikan me sytë e Beogradit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz që janë vrarë në luftë e i kam njohur të gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi me shtetin serb në veçanti.
SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, jo viktimë. Ne jemi viktimë. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtin qëndrim dhe as ndjeshmëri sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit.Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, u shpreh Kurti. /Reporteri.net/