×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët fatlumë: Në fund të muajit do të marrin rreth 2 mijë euro pa punuar fare

    Reporteri
    20 Janar 2020 | 23:11

    Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, pritet të jenë po aq fatlumë sa të legjislaturës së kaluar.


    Në fund të këtij muaji, deputetët e rinj që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit do t’i marrin pagat e tyre të majme prej rreth 2 mijë euro, edhe pse “punuan” veç një ditë, pra morën pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 26 dhjetor, ku u zgjedh kryetari dhe nënkryetarët.

    Por nga kjo kohë deputetët nuk kanë pasur më asnjë angazhim, pasi nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër, dhe nuk dihet se kur do të thirret, pasi sot Kryesia e Kuvendit edhe pse mbajti takim nuk caktoi një të tillë, shkruan Reporteri.net.

    Deputetë të caktuar e pranojnë se ata do të marrin pagat pa punuar fare, por thonë se për këtë nuk janë fajtor ata, por fajin ja lënë dy partive që po dështojnë të lidhin koalicionin qeverisës VV-së dhe LDK-së.

    Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së, ka thënë për Reporteri.net se si deputete e zgjedhur në zgjedhjet e 6 tetorit, është e zhgënjyer me mos formimin e qeverisë, pasi ajo dhe kolegët e saj nuk po mund t’i arsyetojnë pagat.

    “Jam mëse e zhgënjyer si deputete që kam fituar mandatin dhe jo vetëm unë por të gjithë kolegët po i marrim pagat dhe nuk është se po i arsyetojmë ato, por kjo jo për fajin tonë. Buxheti shpenzohet edhe për paga, por ne veç po presim, e do të ishte mirë mos të presim, por kjo po ndodh për shkak të dështimit total të një koalicioni të shumë pritur të qytetarëve”, ka deklaruar Haxhiu për Reporteri.net.

    Buxheti i shtetit për rrogat e 120 deputetëve për këtë muaj do të shpenzoi hiç më se 200 mijë euro. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!