Deputetja e AAK-së – Kurtit: Secili kryeministër do të kishte qenë më i përgjegjshëm e do të ishte kthyer në vendin e vet

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e cila ka vizituar Deçanin pas helmimit të mijëra qytetarëve që po dyshohet se ka ndodhur si pasojë e ujit të pijes.


Kadrijaj në një lidhje direkte në emisonin ‘Pressing’ në T7 tha se nëse një ndodhi e tillë do të kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër, secili kryeministër do të kishte qenë më i përgjegjshëm dhe do të ishte kthyer për të qenë me qytetarët e tij.

“As në Facebook që është praktikë e VV-së, tek sot e ka bërë një reagim në FB. Normal që gjendet në pushime dhe është në një resort tepër luksoz. Po të ndodhte kjo në ndonjë vend tjetër, secili kryeministër do të kishte qenë më i përgjegjshëm e do të ishte kthyer në vendin e vet për të qenë me qytetarët e vetë”, tha Kadrijaj.

Ajo thotë se sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar Deçanin me duar në xhepa.

“Presidentja e ministri kanë ardhë me duar në xhepa.  A mundeni me besu Leo, as në barnatoret në Deçan nuk i kanë pasur barnat që iu është dashur qytetarëve. Qeveria është dashtë të reagojë me kohë, dhe jo 3 ditë pas publikimeve që i kemi bërë na si deputet”, tha Kadrijaj.

Kujtojmë se në këtë komunë janë helmuar mbi 1 mijë e 500 qytetarë, e që shkaku i këtij helmimi dyshohet të jetë uji i pijes.