×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja e VV-së: Plani i BE’së e përmban njohjen reciproke

    Reporteri
    07 Shkurt 2023 | 21:32
    Lëvizja Vetëvendosje. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbëresha Kryezi-Hyseni, ka folur pas deklaratës së kryeministrit Kurti se e pranon propozimin franko-gjerman.

    Deputetja ka thënë se anipse nuk e ka lexuar planin, është informuar nga qeveria se aty ekziston njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas saj, njohja reciproke nuk referohet si e tillë në plan, por që ekziston.

    “Nuk është pse nuk u përmend njohja reciproke ne kemi hequr dorë nga njohja reciproke. Propozimi nuk e mban njohjen reciproke si term, por njohja reciproke ekziston”, tha ajo në RTV Dukagjini.

    “E kemi pranuar si një bazë të mirë mbi të cilën mund të ndërtohet një dialog me palën tjetër me Serbinë. U pranua dje edhe publikisht edhe nga kryeministri Kurti në takimin që pati me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak”, ka deklaruar ajo tutje.

    Deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni

    Tutje ajo ka shtuar se ky propozim çon drejt njohjes reciproke sepse “nuk mund të jetë ndryshe, propozimi franko-gjerman e ka njohjen reciproke”.

    Kujtojmë se deklaratën se e pranon propozimin evropian, Kurti e bëri pas një darke pune që pati me emisarin e BE’së, Miroslav Lajçak.

    Ndërkaq vetë Lajçak tha se diskutimet e mëtejme në raport me marrëveshjen do të zhvillohen gjatë takimeve të nivelit të lartë. Mirëpo, i njëjti nuk bëri të ditur ndonjë datë të caktuar për takimin e radhës.

    “Udhëtova për në Prishtinë për të takuar kryeministrin Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Edhe në Beograd bëra të njëjtën gjë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviqin. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim Propozimin e BE-së. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak sot. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!