×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja Kravchuk falënderon Kosovën, rrëfen tmerrin e luftës në Ukrainë

    Reporteri
    24 Tetor 2022 | 23:37

    Deputetja e Ukrainës, Yevheniya Kravchuk, ka folur për luftën që po bën Rusia në Ukrainë. Ajo thotë se Rusia po bën gjenocid në Ukrainë dhe se shumë gra, burra e fëmijë janë dhunuar, duke përjetuar kështu trauma të mëdha

    Ajo ka treguar se politika e ushtrisë ruse është përqendruar në shkatërrimin e infrastrukturës energjetike, që prek jetën e qytetarëve.

    “Në fushën e betejës Rusia po humbet çdoherë e më shumë dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë është të sulmojnë nëpërmjet dronëve ushtarakë qytetet e Ukrainës. Shefi i inteligjencës së shtetit ka parashikuar se vendi ynë mund t’i rikthejë zonat e okupuara vitin e ardhshëm. Por, është një proces shumë i gjatë, që mendoj se duhet përshpejtuar sepse gjatë këtyre sulmeve keni parë nëpërmjet fotografive që civilët po i vrasin teksa janë duke fjetur në shtëpitë e tyre. Ne kemi kërkuar sistemin e mbrojtjes ajrore që nga shkurti dhe vetëm në tetor e kemi marrë atë nga Gjermania dhe SHBA-të”, tha ajo për T7.

    Sipas Kravchukut, Rusia ka bërë çdo krim të mundshëm, madje përtej imagjinatës, andaj duhet vepruar menjëherë.

    “Është shumë e rëndësishme që të ndiqen dy hapa: Tribunali Ndërkombëtar dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale të na ndihmojnë t’i përballojnë dëmet, gjenocidin dhe traumat e shkaktuara, si dhe ta rindërtojnë Ukrainën. Mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë, shumë dëme janë shkaktuara në infrastrukturë, biznese, ura dhe në gjithçka tjetër. Ne mendojmë se të gjitha paratë që në një formë janë të ngrira dhe paratë e sanksioneve duhet të dedikohen për rindërtimin e Ukrainës.”

    E pyetur për relacionet ndërmjet Kosovës e Ukrainës, Kravchuk ka këtë përgjigje.

    “Ne e vlerësojmë shumë ndihmën që Kosova si shtet i vogël po i jep Ukrainës, nëpërmjet programeve si ai i gazetarëve. Unë kam qëndruar në Kosovë për disa ditë dhe pashë që nuk kam nevojë të shpjegoj se çfarë realisht është duke ndodhur në Ukrainë sepse e dinin, e ndjenin, e kishin parasysh situatën”

    Ajo ka theksuar edhe një herë që Rusia po bën gjenocid në Ukrainë dhe se shumë gra, burra e fëmijë janë dhunuar, duke përjetuar kështu trauma të mëdha.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!