×
  • Lajme
  • Lajme

    “Dështim i madh”, Gashi e Tahiri komentojnë qëndrimin e Kurtit në SHBA

    Reporteri
    23 Maj 2022 | 13:36

    Shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, Abelard Tahiri e Arben Gashi e kanë komentuar qëndrimin e gjatë të kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të dy e cilësuan si dëm për Kosovën faktin që Kurti nuk arriti ta takonte presidentin Joe Biden apo Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

    Tahiri tha se vizita pa takime të nivelit të lartë “është gjëja më e vogël, më pakta që e kisha dëshiruar edhe për kundërshtarin tim politik”.

    “Është një dëmtim i madh për neve që kryeministri qëndron për dy javë dhe nuk arrin në një nivel të tillë”, tha Tahiri.

    “Mospritja e kryeministrit në nivele të tilla, siç ka ndodhur çdoherë në pothuajse çdo vit nga të gjithë kryeministrat e presidentët paraprakë, është dëmi më i madh që mund ta imagjinojmë ne që mund të na vije në fuqizimin në arenën ndërkombëtare”, shtoi ai.

    Ndërkaq Gashi tha se “ky dështim i kryeministrit fakteqsisht është dështim i Kosovës dhe ky dështim i kryeministrit dhe Kosovës na shqetëson të gjithëve”. “Unë nuk do të dëshiroja në asnjë formë që ta shihja kryeministrin e Kosovës duke u sjellur në një shtet mik dhe përkrahës të jashtëzakonshëm të Kosovës për javë të tëra, duke kërkuar dëshpërimisht të takohet me zyrtarë të lartë shtetëror”, tha Gashi.

    “Është e pazakonshme që një kryeministër në kohët moderne me qëndru 3 javë jashtë vendit”, tha ai, duke përmendur punët që tha se do të duhej t’i kryente shefi i Ekzekutivit.

    “Një element i rëndësishëm është edhe aplikimi i Kosovës në Këshillin e Europës dhe kryeministri të mos jetë as në Europë që të merret me lobim dhe ta fusë në rend dite në Komitetin e Ministrave”, tha Gashi.

    Mungesa e kryeministrit në vend, Gashi tha se “nuk arsyetohet me takimet që i ka pasur”.

    “Niveli i takimeve, numri i takimeve dhe rezultati i takimeve nuk do ta arsyetonin as një vizitë 4 ditore, e lëre më një vizitë 19 ditore”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!