×
  • Lajme
  • Lajme

    Dita e dytë e bllokimit: Banorët serbë po vazhdojnë të qëndrojnë në Jarinje

    Reporteri
    21 Shtator 2021 | 7:18

    Autoritetet kosovare kanë nisur dje aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, në shenjë pakënaqësie.


    Ata kanë qëndruar gjatë gjithë natës atje. Në Jarinje e kanë kaluar natën edhe policët e Njësisë Speciale.

    Qytetarët serbë kanë ngritur një tendë dhe kanë ndezur një zjarr, derisa policët kosovarë po vëzhgojnë situatën nga rruga.

    Ndryshe, sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë “është e qetë”.

    “Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.

    Ministria që udhëheq Sveçla ka njoftuar se përveç në pikat kufitare, qytetarët mund të pajisjen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës plenare të mbajtur më 20 shtator, tha se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.

    “Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë. Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt, të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!