×
  • Lajme
  • Lajme

    DOKUMENTI I PLOTË|”Non-paper” gjermano-francez: Asociacion dhe Distrikt Autonom për Kosovën Veriore

    Reporteri
    27 Prill 2021 | 12:24

    Një dokument i publikuar mbrëmë e që pretendohej se  është “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, “si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale”, ka nxitur reagimin edhe të Francës e Gjermanisë, ku pretendohej se e ka burimin.


    “Ky Non-Paper paraqet një nismë të përbashkët gjermano-franceze për të rinisur Dialogun për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, z. Josep Borell, dhe z. Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, me mbështetjen e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, theksohet në fillim të kësaj letre.

    Dokumenti të cilin e ka siguruar Gazeta Online “Reporteri.net”, thekson se veriu i vendit duhet të jetë një Rajon Autonom dhe po ashtu në këtë letër theksohet edhe krijimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

    Në këtë dokument theksohet Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse.

    Distrikti Autonom i Kosovës Veriore, sipas këtij dokumenti do ta përfshijë territorin e qytezave të Zveçanit dhe 35 fshatrave të tij, Leposaviqit dhe 72 fshatrave të tij, Mitrovicës Veriore dhe zonave të ngjitura kadastrale dhe Zubin Potokut me 63 fshatrat e tij.

    “Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistemin gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale”, thuhet në letër.

    “Distrikti Autonom i Kosovës do ta ketë Guvernatorin që do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

    Më pas, në “non paper” thuhet se dy palët duhet të bëjnë ndryshime të Kushtetutës dhe të ligjeve, ashtu që marrëveshja e tillë të mund të zbatohet.

    Ata theksohet se me ratifikimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese, Serbia pajtohet që të mos ankohet ndaj aplikimit nga Kosova ose anëtarësimit të saj në organizata, institucione ose instrumente ndërkombëtare, shumëpalëshe dhe rajonale, në të cilat Serbia tashmë është anëtare.

    “Të dyja palët duhet të ndërmarrin ndryshime kushtetuese dhe legjislative për ta siguruar zbatimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese.

    Me ratifikimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese, Serbia pajtohet që të mos ankohet ndaj aplikimit nga Kosova ose anëtarësimit të saj në organizata, institucione ose instrumente ndërkombëtare, shumëpalëshe dhe rajonale, në të cilat Serbia tashmë është anëtare.

    Të dyja palët do të procedojnë në supozimin se asnjëra nga dy Shtetet nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emrin e tij. Të dyja palët procedojnë mbi parimin se juridiksioni i sovranitetit të secilit prej dy Shteteve është i mbyllur në territorin e vet”, theksohet ndër të tjera në këtë dokument.

    Për përmbajtjen e këtij dokumenti, kanë reaguar gjatë ditës edhe Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Francës në Kosovë.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë “Non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “fake news”.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Rohde ka thënë se mund të ketë dokument, por se nuk është francezo-gjerman, derisa ka shtuar se e përkrahin dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak.

    “E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

    Pas Gjermanisë ka reaguar edhe shteti i Francës. Përmes një reagimi në Twitter, Ambasada Franceze ka deklaruar se Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i atij “non-paper” dhe se dy shtetet mbështesin ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian.

    “Franca dhe Gjermania nuk janë burimi i të ashtuquajturin non-paper franko-gjerman të botuar sot në Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dhe mirëpresim përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak”, thuhet në reagim.

     

    Më poshtë mund ta gjeni përmbajtjen e dokumentit të plotë:

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!