×
  • Lajme
  • Lajme

    Donika Gërvalla e shpalli të vdekur, Kurti e ringjalli Asociacionin në të tretën ditë sipas shkrimeve

    Reporteri
    26 Janar 2023 | 12:38

    Të vdekur e shpalli  Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të martën e kësaj jave, në kohën kur themelimi i tij po kërkohet me ngulm nga bashkësia ndërkombëtare.

    Gërvalla e tha me bindje të plotë se Qeveria, pjesë e së cilës është ajo nuk do ta “ringjallë”, një propozim, që tashmë sipas saj ka vdekur në momentin që u konstatua se bie ndesh me Kushtetutën, shkruan Gazeta Online Reoporteri.net.

    “Beogradi vërtet flet për Asociacionin, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet. Gjykata Kushtetuese vendosi që Asociacioni të mos ndodhte. Nuk është e mundur të gjesh një qeveri në një botë demokratike që është e gatshme të zbatojë diçka që shkel kushtetutën e saj”, ka thënë zëvendësministrja e Jashtme, Donika Gërvalla të martën në një intervistë për mediumin estonez, ERR.

    Por, ashtu si shpallja e ungjillit, Asociacioni duket se u ringjall në të tretën ditë, sipas shkrimeve, dhe askush nuk di ta përkufizojë saktë atë që ndodhi.

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shkaktoi konfuzion mbrëmë një një postim në orët e natës, pas një darke pune që kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

    Lajçak la të kuptohet se kryeministri Kurti mund të jetë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, kur tha se në takim “u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”.

    “U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak.

    Deklarata e Lajçakut u interpretua si mundësi që Kurti të jetë bindur rreth çështjes së Asociacionit.

    Në kohën kur Asociacioni po konsiderohet si parakusht i një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kryeministri Kurti nuk tha diçka të re.

    Duke folur për takimin e mbrëmshëm me Lajçakun, Kurti tha se asnjë nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk mund të ketë prioritet ndaj marrëveshjeve të tjera.

    Ai shtoi se ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në 7 kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të theksohet më shumë, po potencoi se marrëveshja mbi Asociacionin është e vetmja nga këto 33 marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    Por, Kurti tha se është procesi negociator, ai që tani duhet t’i shpiejë përpara.

    “Në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj marrëveshjeve të tjera.

    Nuk ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër, këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht. Dhe të mos harrojmë asnjëherë se marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në 7 kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 të Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses. Pra në një mënyrë, mund të themi se ajo marrëveshje njëmend është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Kushtetuese. Tash procesi negociator duhet të na shpiejë përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve por e theksoj se asnjë nga ato 33 marrëveshje nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra, që do të thotë se kanë renditje”, tha Kurti.

    Deklaratat e paqarta të Kurtit rreth Asociacionit

    Albin Kurti, i cili ka qenë njeriu më kundërshtues i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e madje ai për vite refuzoi ta quante Asociacion, duke iu referuar si “Zajednicë”, tani duket se është i paqartë në qëndrime rreth kësaj çështje.

    “Zajednica” ka vdekur. Është obligim i yni që të mos lejojmë ringjalljen e saj”, thoshte Kurti më 13 shkurt 2016.

    Por, Kryeministri i Kosovës kohëve të fundit ka dhënë sinjale se mund të ketë ndryshime të qëndrimeve të tij për këtë marrëveshje.

    Javë më parë Kurti, tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Këto komente, Kurti i bëri, më 12 janar gjatë vizitës në Austri, një ditë pasi zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet  tha se Asociacioni është një çështje urgjente dhe kërkoi nga Kosova që të japë propozime sa i përket themelimit të Asociacionit.

    Kjo deklaratë e Kurtit u konsiderua si zmbrapsje në qëndrime si rezultat i presionit të ndërkombëtarëve.

    SHBA-ja e prerë për Asociacionin

    Pas vizitës së javës, në Prishtinë e Beograd, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka bërë një prej deklaratave më të prera që nga marrja e mandatit të tij sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Escobar deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të arrihet përmes partnerëve, dhe se një person [Kurti] nuk mund ta shmang këtë obligim ligjor.

    “Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Ai theksoi se qëllimi i Asociacionit është që veriu i Kosovës të bëhet më funksional.

    Emisari amerikan shtoi se bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo të bëhet, dhe se po pret që edhe Kurti ta ketë të qartë këtë.

    “Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha tutje Escobar.

    Escobar për Asociacionin: Është detyrim ndërkombëtar nga i cili një politikan dhe parti e vetme nuk mund të largohet

    Pikërisht për këtë çështje, Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, u tha në konfirmimin e tyre.

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i pyetur sot rreth këtyre zhvillimeve, refuzoi të komentojë, duke thënë se ka shumë për të folur javën e ardhshme.

    Në anën tjetër edhe vetë Derek Chollet, këshilltar në Departamentin e Shtetit Amerikan, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të pranojë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një telefonatë të martën mbrëma.

    “Kam folur me kryeministrin Kurti për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kam kërkuar që Kosova ta pranojë. Tema kryesore e bisedës ishte partneriteti ynë dhe qëllimi i përbashkët për përparimin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, shkroi Chollet të martën në Twitter.

    Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Këtë kërkesë e përsëriti dje, edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price. Price ka deklaruar se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

    Kështu u shpreh ai në një konferencë për media.

    “Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, u shpreh ai.

    Kryeministri Kurti deri më tani nuk ka dhënë detaje rreth telefonatës që ai kishte me Cholletin dhe kërkesës së tij për pranimin e propozimit franko gjerman, i njohur tani si propozimi i BE-së.

    BE për Asociacionin: Kosova vetë do ta hartojë e nënshkruajë, s’ka vend për frikë

    I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë mbrëmë se Kosova nuk duhet të frikësohet nga themelimi i Asociacionit.

    Lajçak ka përsëritur se Asociacioni nuk nënkupton një tjetër Republikë Srpska, dhe është diçka që do të hartohet e nënshkruhet nga vetë Kosova.

    Ai tha se madje Kosova veç po humb kohë duke rezistuar e shtyrë themelimin e tij.

    “Nëse thotë një person që Republika Srpska është e mirë, ai është Dodik. Befasohem që njerëzit frikësohen nga diçka që nuk ekziston, e dyta ju vetë do ta formoni. Nuk do të imponohet. Kosova e ka rolin e barabartë në dialog si Serbia. Ajo që bashkëhartohet nga ju, edhe dakordohet nga ju. Nuk do të nënshkruani diçka më të cilën nuk pajtoheni. Mos u frikësoni nga diçka që ju do të hartoni. Jemi duke humbur kohë dhe për diçka që nuk ekziston dhe për diçka që ju jeni bashkautor”, deklaroi Lajçak në Klan Kosova.

    “Kosova e ka dërguar aplikacionin për KiE. KiE ka një kornizë të shkëlqyer ligjore për ta adresuar këtë çështje”, shtoi ai.

    Lajçak tutje ka theksuar se Bashkimi Evropian është partner i Kosovës, dhe nuk vjen me kërcënime apo ultimatume në dëm të saj.

    “Ne jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime ose ultimatume, besoj se është një grup vërtetë serioz dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë të zhvendosim cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë”, tha Lajçak.

    Ndër të tjera, ai foli gjerësisht edhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duke shtuar se Kosova nuk humb asgjë, por vetëm fiton nëse dakordohet me propozimin.

    Kujtojmë se, në parim, Serbia tha se e pranon propozimin/planin e Bashkimit Evropian për dialogun, i cili ende është i panjohur për opinionin, ndërsa nga Kosova u kërkua mirëkuptim më i madh rreth atij dokumenti./Reporteri.net/

    Kurti: Ka insistim nga ndërkombëtarët, por Asociacioni është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!