×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Donika Gërvalla i del në mbrojtje Albin Kurtit: Sa e madhe është frika e disave nga këto zgjedhje

    Reporteri
    25 Janar 2021 | 14:10

    Kandidatja e LDK-së për deputete, Donika Gërvalla-Schëarz i ka dalë në mbrojtje Albin Kurtit pasi doli një lajm i rremë se gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung në vitin 1998 kishte cituar një deklaratë të Kurtit kundër SHBA-së.


    Sipas Gërvalla-Schëarz, kjo tregon se “deri ku ka rënë niveli dhe sa e madhe është frika e disave nga këto zgjedhje”, ndërsa ka kërkuar që të kursehen nga lojërat e brendshme përkrahësit e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

    “Manipulimi me gazetën shumë serioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung vetëm sa na tregon edhe një herë se deri ku ka rënë niveli dhe sa e madhe është frika e disave nga këto zgjedhje. Konkurrenca është në rregull, por gënjeshtra e kulluar jo. Gazetari i kësaj gazete, Michael Martens ka reaguar menjëherë pas shpërndarjes së artikullit të rremë duke siguruar që një artikull i tillë nuk është botuar asnjë herë në këtë gazetë. Përkrahësit e lirisë dhe pavarësisë sonë në kohë të vështira, dhe e tillë është kjo gazetë, do të duhej t’i kursenim nga lojërat tona shumë të ulëta”, ka shkruar ajo.

    Korrespodenti i gazetës së famshme gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka nxituar të reagojë pas publikimit të një fotografie, që është paraqitur si artikull i kësaj gazete në vitin 1998, e që titullohet: “Kurti: Kush e mbështet SHBA-në dhe Rugovën është kundër Kosovës”.

    Këtij lajmi të rremë i ka besuar ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, i cili e ka publikuar këtë fotografi, duke vlerësuar se Kurti e mbështet Rusinë, ndërsa e ka falenderuar Zotin dhe presidentin Ibrahim Rugova.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!