×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas vendimit të Veselit, Beqaj dorëhiqet nga pozita e ministrit

    Reporteri
    20 Qershor 2019 | 11:12

    Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dje ka marrë vendim që të gjithë zyrtarët e PDK-së që mbajnë pozita publike e që janë në aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion të lirojnë funksionet e tyre.


    Ky vendim ka prekur edhe Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, i cili në një konferencë për media pak më parë ka thënë se ka paraqitur dorëheqjen e tij tek kryeministri Haradinaj, shkruan Reporteri.net.

    Beqaj ndër të tjera është shprehur se respekton vendimin e djeshëm të kryetarit të PDK-së, i cili sipas tij është rezultat i përbashkët i të gjitha strukturave të kësaj partie, pjesë e së cilës është edhe ai.

    “Dëshiroj të reflektoj në lidhje me vendimin e PDK-së. Ky është angazhim i përbashkët i të gjitha strukturave udhëheqëse të PDK-së, pjesë e së cilës jam edhe unë. Është parim bazë i drejtësisë që çdokush është i pafajshëm derisa të mos provohet e kundërta. Besoj se drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë time bazuar në provat dhe argumentet e ofruara. Në rastin tim është aplikuar drejtësi selektive, aktakuza ka një mal të metash. Vepra për të cilën unë gjykohem nuk është vepër korruptive. Gjatë angazhimit tim politik jam udhëhequr nga dy parime: zbatimi i ligjit dhe profesionalizmi. Ju siguroj se kjo sfidë do të kalojë shumë shpejt dhe do të dalë e vërteta e pakontestueshme”, është shprehur ndër të tjera Beqaj.

    I pyetur se a do të vazhdoj të jetë pjesë e PDK-së, Beqaj ka thënë se ai është një nga njerëzit që ka dhënë kontribut të madh në këtë parti, andaj natyrisht se do të vazhdojë të jetë pjesë e saj.

    “Unë do të vazhdoj të jem pjesë e PDK-së sepse jam një nga njerëzit që ka kontribuar gjatë në këtë parti”, është shprehur shkurt Beqaj. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!