×
  • Lajme
  • Lajme

    Dugolli reagon pasi u akuzua për plagjiaturë: Përpjekjet për të më sulmuar dhe njollosur emrin tim janë të pakuptimta

    Reporteri
    23 Qershor 2021 | 15:30

    Profesori i rregullt në Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, ka reaguar pas akuzave për plagjiaturë nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Dugolli i ka konsideruar si të pakuptimta dhe të papranueshme përpjekjet që siç thotë ai, po bëhen për ta sulmuar dhe njollosur emrin e tij, shkruan Reporteri.net.

    “Sulmet kundër Ardian Kastratit, i kuptoj pse ndodhin, por përpjekja për të më sulmuar dhe për të njollosur emrin tim, janë të pakuptimta dhe të papranueshme, por do të punojmë për t’i sqaruar të gjitha.” ka shkruar ai.

    Dugolli ka thënë se artikulli shkencor në fjalë është sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara dhe të aplikuara nga redaksia e revistës, shkruan Reporteri.net.

    “Bëhet fjalë për një artikull shkencor, i botuar para katër vitesh, në bashkautorësi me z. Ardian Kastrati, sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara dhe të aplikuara nga redaksia e revistës, e cila është revistë kredibile dhe e indeksuar ndërkombëtarisht në platformën me kredibile shkencore, Scopus.”, ka deklaruar ai.

    Sipas tij, artikulli i është nënshtruar rregullave të recensimit të fshehtë dhe është futur në sistemin e antiplagjiaturës.

    “Artikulli i është nënshtruar rregullave të recensionit të fshehtë dhe është futur në sistemin e antiplagjiaturës, siç e aplikon revista në fjalë, prandaj miratimi i botimit është dhënë vetëm pasi janë plotësuar kriteret profesionale të kërkuara nga redaksia dhe recensentët ndërkombëtarë.”, thuhet tutje në reagimin e profesorit të UP-së.

    Ndryshe, gjatë ditës së mërkurë, përmes një komunikate drejtuar për medie, ORCA bën të ditur se në fillim të vitit 2021 ka pranuar një denoncim anonim, ku thuhej se një punim me emrin “DIPLOMACY THROUGH THE AGES OF HISTORY: THEORETICAL ANALYSES OF THE CONCEPT”, i botuar në vitin 2017 me autorët Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, që të dy profesorë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, kishte elemente të plagjiaturës.

    “Autorët e këtij punimi Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos treguar se nga i kanë marr ato, rrjedhimisht duke i paraqitur këto pjesë sikurse janë pjesë të punës së tyre akademike.”, thuhet në komunikatë.

    Për më tepër, ORCA thotë se Kastrati në vitin 2020 dhe Dugolli në vitin 2018, ishin avancuar duke përdorur punimin në fjalë.

    ORCA ka ftuar organet të iniciojnë procedurat për verifikimin e publikimeve dhe të merren masa në përputhje me kodin e etikës dhe rregulloren për procedura disiplinore.

    Postimi i plotë i Dugollit:

    Reagim ndaj Organizatës ORCA

    Sot, përmes mediave jam njoftuar në lidhje me një aktivitet të organizatës ORCA, në të cilën është lajthitur edhe emri im. Bëhet fjalë për një artikull shkencor, i botuar para katër vitesh, në bashkautorësi me z. Ardian Kastrati, sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara dhe të aplikuara nga redaksia e revistës, e cila është revistë kredibile dhe e indeksuar ndërkombëtarisht në platformën me kredibile shkencore, Scopus.

    Në kohën kur ky artikull ishte botuar, z. Kastrati ishte asistent në Fakultetin Filozofik dhe nuk ishte pjesë e politikës dhe as debateve politike që ndodhin sot, lidhur me raportet pozitë-opozitë. Ekzistojnë të gjitha korrespondencat me revistën që dëshmojnë se ne i kemi përfillë të gjitha kriteret profesionale dhe metodologjike dhe standardet e citimit, siç i aplikon revista në fjalë.

    Artikulli i është nënshtruar rregullave të recensionit të fshehtë dhe është futur në sistemin e antiplagjiaturës, siç e aplikon revista në fjalë, prandaj miratimi i botimit është dhënë vetëm pasi janë plotësuar kriteret profesionale të kërkuara nga redaksia dhe recensentët ndërkombëtarë.

    Punimi “Diplomacy through the ages of history: Theoretical analyses of the concept” trajton fenomene, koncepte dhe baza teorike të cilat gjerësisht praktikohen në punime shkencore dhe si të tilla ato lehtë gjinden edhe në punime të ngjashme që trajtojnë fenomenin e diplomacisë, gjatë historisë, prandaj studentët dhe praktikantët e organizatës ORCA dhe jo vetëm, nuk duhet të bijnë pre e e-maileve anonime, por duhet ta kuptojnë se termet dhe konceptet e tilla, që lidhen me diplomacinë, politikën e jashtme dhe përvojat diplomatike historike ndërkombëtare, do të jenë objekt i trajtimit të vazhdueshëm nga studiuesit e rinj, pa pasur mundësinë e kapërcimit të këtyre termave, koncepteve dhe bazave teorike.

    Ky artikull, krahas dhjetëra artikujve të tjerë, është pjesë e CV-së time, poashtu edhe shumë libra të tjera, nuk ka qenë dhe nuk është përcaktuese për thirrjen time aktuale akademike, por është produkt i punës së vazhdueshme, tash e njëzetenjë vite në Universitetin e Prishtinës.

    Bashkautorësia e punës profesionale dhe shkencore është vlerë, pasi afron pikëpamje të ndryshme rreth ideve teorike që trajtohen, por ato nuk mund të mbesin peng i pozicionimeve të ndryshme që ndërkohë mund të marrin njerëzit, ne jetën akademike e politike.

    Sulmet kundër Ardian Kastratit, i kuptoj pse ndodhin, por përpjekja për të më sulmuar dhe për të njollosur emrin tim, janë të pakuptimta dhe të papranueshme, por do të punojmë për t’i sqaruar të gjitha.

    B.D.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!