Dy ditë pasi dha dorëheqje, Haradinaj: Popull më të mirë se në Rahovec nuk ka

Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së atdhetarit Shejh Myhedin Shehut, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së tij nga forcat serbe në qendrëne qytetit të Rahovecit.


Ai ka vlerësuar lart kontributin e tij dhe ka lavdëruar gjithë rahovecianët, njofton Klan Kosova.

“Thuhet se si janë njerëzit ashtu merr edhe moti. Popull më të mirë se në Rahovec nuk ka”.

“Një ngjarje si kjo e bën krenar popullin. Sot jemi mu në vendin ku 21 vjet më herët ra heroikisht një udhëheqës fetar e shpirtëror, por përveç kësaj ai me vete kishte edhe brumin e atdhetarit të shquar shqiptar, të rilindësit, por edhe të atyre që nuk u ndalën kurrë”.

“Janë vetëm pak njerëz të popullit tonë që nuk u ndalën, është një brez shumë i vogël. Dhe në këta njerëz e gjejmë Shejh Myhedini dhe të tjerët që u dënuan në grupe. Vetëdija e ngritur dhe besimi i bëri që të mos dorëzohen dhe të mos bëjnë kompromis.

“Shejh Myhedini është pjesë e atdhetarëve dhe dijetarëve që historianët kanë me pasë punë me të – për shkak se kur e shikojnë pozicionimin e tij, angazhimin e tij të asaj kohe dhe rrugën e tij nëpër këto etapa – secila etapë në veti ka me qenë e rëndësishme për luftën e tij”.

“Shejh Myhedini nuk u bind nga urdhrat e Millosheviqit për të bindur popullin që të mos rezistojë kundër tij dhe për ta larguar popullin prej UÇK-së apo për t’i ndalur ushtarët të mos dalin në luftë. Pra, ai qëndroi besnik ndaj popullit të vet dhe ndaj besimtarëve të vet”.

Ai ka uruar rahovecianët për zbulimin e shtatores së Shejh Myhedini, ndërsa pasardhësin e tij në Teqën e Madhe të Halvetive në Rahovec, Shehj Besimin, e dekoroi me çmimin “Gjergj Kastrioti- Skëndërbeu”.

“As Skënderbeu s’ka luftuar për fe dhe as Shejh Myhedini, por kanë luftuar për atdhe. Atdheu përpara, feja është e jona”.