Dy muaj pas emërimit si zv.drejtor i burgjeve, MD largon nga kjo pozitë Rasim Selmanin

LAJMI I FUNDIT - REPORTERI

Ministria e Drejtësisë ka marrë vendim që të largoj nga pozita e zëvendës drejtorit të burgjeve, Rasim Selmanin i cili ishte emëruar në këtë detyrë në fillim të muajit korrik pra dy muaj më parë.


KALLXO.com mësoi se në pozitën e Selmanit është emëruar, Ali Gashi roli i të cilit ishte Drejtor i Departamentit për Trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Reklamë

“Po, informacioni është i saktë, jam zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Sot është bërë pranim-dorëzimi me kolegun që ka ushtru detyrën deri më tani”, tha Gashi.

Ai tutje shtoi se nuk i din arsyet e largimit nga pozita të Selmanit.

“Unë kam qenë drejtor për trajtim të të burgosurve dhe të miturve. Kam punuar për 10 vite në MD, në kuadër të profesionalizmit më është besu kjo detyrë, arsyet e largimit të zëvendësit të kaluar nuk i di”, shtoi Gashi.

Largimin nga pozita të Selmanit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

“E kemi largu nga pozita. Ali Gashi do të jetë zëvendës drejtori i ri deri në zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm për të cilën pozitë kemi hapur edhe konkurs edhe po presim me datë të caktuar. Një nga arsyet është që tash konkursi është hapur për drejtor ai ka shpreh dëshirë me konkuru në atë pozitë dhe ne kemi vlerësuar se nuk është e drejtë që një UD të konkurroj për drejtor të ri për të ardhur në nivel të njëjtë pra, pra të gjithë kandidatët kanë të drejtë të barabartë me konkuru në një konkurs të ri”, tha Sallahu

Rasim Selmani është emëruar si zëvendës drejtor i burgjeve më 3 korrik të këtij viti. Ai ishte drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë i cili njihet si burgu i Dyzit i cili gjendet në Podujevë.

Emërimi i Selmanit në krye të SHKK-së erdhi pas shkarkimit të ish- drejtorit të kaluar Nehat Thaqit.

Ky i fundit ishte shkarkuar nga detyra e tij pas vendimit të Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.

Në prill të këtij viti ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar se ka kërkuar nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, që të shqyrtojë veprimet e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi duke kërkuar të vendosin për shkarkimin e tij.

Kjo si shkak i dhënies në shfrytëzim të një prone në Vushtrri nga SHKK.“Para disa ditëve kemi pranuar në kabinet një njoftim për shkelje brenda Shërbimit Korrektues për dhënie në shfrytëzim të pronës, për një kompani që nuk i plotësonte kushtet. Bëhet fjalë për 2 ha tokë, kurse dje e kemi pranuar raportin e brendshëm të auditorit e cili e ka evidentuar këtë”, kishte thënë Haxhiu.

Zëvendësministri i MD, Blerim Sallahu kishte thënë në atë konferencë se prona e cila është jep në shfrytëzim nga SHKK i është dhënë në mënyrë të kundërligjshme një kompanie e cila nuk ka qenë e regjistruar në ARBK në momentin është dhënë kontrata.

“Kompania që ka fitu kontratë nuk ka pas certifkatë të biznesit këtë çertifikatë e ka pranu pesë orë pasi ka pranu kontratë për shfrytëzimin e pronës. Baza ligjore nuk jep të drejtë për dhënien në shfrytëzim të asaj prone. Në kundërshtim me ligjin akterët e përfshirë kanë lidhur kontratën e cila jep në shfrytëzim pronën e MD dhe SHKK ndërsa në këmbim është marrë çmim banal prej 2100 euro në muaj, ndërsa sipas vlerës së tregut çmimi është më i lartë. Kompania ka demolu hotelin Vicinaum dhe objekte të tjera, kemi të bëjmë më ndërmarrja të përbashkët kriminale. Kontrata është nënshkruar nga Nehat Thaçi”, ka thënë Sallahu.

Ish-drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi kishte thënë atë kohë se Ministria e Drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike, duke shtuar se procesi është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm.