×
  • Lajme
  • Lajme

    E gjitha që ndodhi rreth helmit nga zarfet me vota që erdhën nga Serbia

    Reporteri
    13 Tetor 2019 | 19:17

    Pak orë pasi ia filluan punës, zyrtarët kosovarë të KQZ-së u detyruan ta ndërpresin atë.


    Kjo, për shkak të kundërmimit nga hapja e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia, verifikimi i të cilave kishte filluar qysh në mëngjes.

    Përveç ankesave për kundërmim, zyrtarët u ankuan edhe për kruarje të duarve dhe të fytyrës. Nëntë prej tyre kërkuan ndihmë në Qendrën Klinike Universitare.

    Në vendngjarje, për më shumë se tri orë, qëndruan njësitet policore e forenzika, të cilat u morën me ekzaminimin e hapësirës.

    Në afërsi të vendit ku janë të vendosura votat nga Serbia por edhe ato nga diaspora, ishin edhe zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, por të cilët nuk dhanë shumë informata,  raporton KTV.

    Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, tha se do kujdesen që ky rast të mos ndikojë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

    Detaje lidhur me rastin nuk kanë pranuar të japin as nga Policia e Kosovës, e as nga Prokuroria Speciale.

    Këta të fundit, prapa kamerave, thanë se janë duke u marrë me rastin, dhe se nesër do të dalin me një komunikatë për media. E, përveç votave nga Serbia, në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, ku është bërë verifikimi i votave, janë edhe ato nga diaspora.

    Gjendja e të helmuarve me vota është jashtë rrezikut për jetë

    Disa familjarë, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se nuk janë lejuar të hynë brenda, por kanë biseduar me familjarë vetëm përmes telefonit, duke përfunduar se nuk kanë asnjë informacion tjetër.

    Zyrtarë policorë nuk kanë lejuar as mediet që të afrohen afër Klinikës Infektive në QKUK.

    Reporteri.net ndërkaq mëson nga burimet se helmi që është përdorur është për insekte dhe fatmirësisht nuk është vdekjeprurës, por se përdorimi i pakujdesshëm i tij shkakton irritim të syve dhe lëkurës.

    Rastin është duke e hetuar Prokuroria Speciale e Kosovës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!