×
  • Lajme
  • Lajme

    E padit për shpifje, zëvendëskryeprokurorja Sevdije Morina kërkon 20 mijë euro dëmshpërblim nga ish prokurori Sylë Hoxha

    Reporteri
    16 Shtator 2021 | 18:16

    Gjykata Themelore në Prishtinë këtë të enjte ka filluar ta shqyrtojë padinë e ushtruar nga zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, për kompensim të dëmit moral për fyerje dhe shpifje kundër ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Sylë Hoxha.


    Morina pretendon se ish-prokurori Syla në konferencën e mbajtur në mars të 2015 si ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit ka fyer rëndë dhe ka shpifur të pavërteta kundër saj në kohën kur ishte anëtare e Këshillit Prokurorial, prokurore dhe ushtruese e detyrës së Kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.

    Sipas padisë, për këto shpifje dhe fyerje, Sevdije Morina po kërkon 20 mijë euro kompensim nga ish-prokurori special Sylë Hoxha.

    Në këtë seancë përgatitore të udhëhequr nga gjykatësi Përparim Zeka, palët ndërgjyqëse kanë paraqitur pretendimet e tyre për këtë rast.

    Lidhur me këtë, përfaqësuesja e paditëses Morina, avokatja Albana Kelmendi deklaroi se nuk është kontestues fakti se më 16 mars 2015, i padituri Sylë Hoxha, në konferencën për shtyp të organizuar, ka fyer rëndë paditësen dhe ka shpifur të pavërteta ndaj saj.

    “Pra, në këtë çështje kemi të bëjmë me shpifje dhe fyerje nga i padituri, dhe këtë e ka bërë me letër të hapur, përmes adresimit të tij për publikun. Gjykatës me padi i kemi propozuar që të administrojë si provë adresimin e të paditurit ku në faqen 14 par.1, në mënyrë shprehimore i drejtohet mediave, qytetarëve, duke thënë: “Është iniciuar shkarkimi nga dy prokurorë, zonja Sevdije Morina e cila vazhdon atë që ka filluar Rrahman Morina, në vitin 1999”, deklaroi avokatja Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    E njëjta njoftoj se gjykatës i kishte propozuar që të administrojë si provë letrën të cilën i padituri Hoxha e ka lexuar para mediave atë ditë.

    Sipas avokates Kelmendi, referuar në Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, prokurorët obligohen që të përmbahen nga deklaratat me të cilat cenohet familjarët, nderi, autoriteti dhe reputacioni i një personi.

    “Theksoj se paditësja, është fakt kunata e zotit Rrahman Morina, mirëpo cila është lidhja kauzale që e njëjta të ketë vazhduar atë që i padituri ka theksuar në këtë publikim drejt publikut. Pra me këtë paditëses i është shkaktuar dëm i madh, kjo duke marrë parasysh pozitën që mban në Prokurori dhe Këshillin Prokurorial. Pra, interesi publik, në rastin konkret është keqinterpretuar, ngase fyerja në raporte familjare dhe private, nuk paraqet interes publik në kuptim të ligjit për shpifje dhe fyerje”, shtoi avokatja Kelmendi.

    Shpifje sipas avokates Kelmendi përbënte edhe deklarimi i bërë nga i padituri Hoxha atë ditë, se paditësja kishte realizuar takime me prokurorin për krime lufte në Serbi e se ndaj shtetasve kosovarë po lëshoheshin fletëarreste ndërkombëtare bazuar në dokumentet e marra nga prokuroria ku vepronte paditësja.

    “Si i arsyeton që gjatë tërë kësaj kohe, kjo prokurori, ka zhvilluar takime me prokurorin për krime lufte në Serbi dhe si e shpjegon që tërë kohën Serbia lëshon fletëarreste ndërkombëtare kundër shtetasve kosovarë me të njëjtat dokumente që merren nga kjo prokurori. A keni dijeni për këtë dhe sa është hisja e përgjegjësisë për ju personalisht si pjesë e menaxhmentit në këtë prokurori”, thuhet në citatin e lexuar nga avokatja Kelmendi.

    Lidhur me këtë, avokatja Kelmendi ka propozuar që si provë të administrohet letër porosia e dërguar nga paditësja në adresë të drejtorit të Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, Arbër Gegaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!