Edhe policët që s’i përfillën masat anti-COVID u gjobitën, arrestuan dhe u supenduan nga puna

Përditë, nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në mbrëmje, zyrtarë të Policisë së Kosovës dalin për t’i gjobitur ata që nuk i respektojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit.


Për vetëm më pak se një muaj, Policia ka shqiptuar mbi 24 mijë gjoba ndaj qytetarëve që janë hasur duke shpërfillur vendimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me frenimin e pandemisë, ndërsa disa prej tyre edhe janë arrestuar.

Ka raste kur edhe vetë policët nuk i respektojnë këto masa. Këtu përfshihen edhe ata policë që shqiptojnë gjoba dhe angazhohen vetë në terren për ta mbikqyrur respektimin e masave.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në një përgjigje për Gazetën Express ka treguar se ka policë që gjatë kësaj kohe janë gjobitur, suspenduar, e madje edhe janë arrestuar për shpërfillje të këtyre masave.

Për mosrespektim të masave, ndaj një polici është ushtruar edhe kallëzim penal në Prokurori.

“Më dyshimin për vepër penale për mosrespektim të vendimeve të Qeverisë lidhur me pandeminë COVID-19, IPK ka arrestuar dhe suspenduar një zyrtar policor si dhe ndaj të njëjtit është parashtruar kallëzim penal në prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Si pasojë e një Plani Operativ që ishte ndërmarrë nga Inspektorati Policor për monitorimin e respektimit të masave kundër përhapjes së COVID-19 , për tri ditë ishin suspenduar nga puna katër zyrtarë policorë.

“Si rezultat i realizimit të Planit Operativ të IPK-së “Monitorimi i respektimit te vendimeve mbi zbatimin e masave kundër përhapjes së COVID-19″ me rekomandimin e IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë për tre ditë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Express.

Një polic tjetër, ndërkaq, u supendua nga puna pasi që nuk kishte respektuar masën e vetizolimit.

“Kurse një (1) zyrtar policor është suspenduar pasi që i njëjti nuk ka respektuar masën e vetizolimit (rast ky që është dërguar për trajtim administrativ disiplinor në Policinë e Kosovës)”, bën të ditur IPK.

Para pak ditësh, Policia e Kosovës ka treguar për Express se ga 26 gushti deri më 20 shtator, Policia e Kosovës ka shqiptuar saktësisht 24 mijë e 349 gjoba ndaj qytetarëve për shkak të mosrespektimit të masave, 4 të tjerë u arrestuan, ndërsa në gjykatë u dërguan 4 fletëparaqitje (tiketa).

Përveç gjobave, Policia e Kosovës ka treguar se gjatë kësaj periudhe ka dhënë 5 mijë e 918 vërejtje për qytetarët.

Të gjitha mjetet nga gjobat e shqiptuara nga Policia nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji për luftimin e COVID-19, do të derdhen në buxhetin e komunave.