×
  • Lajme
  • Lajme

    Edi Rama për Ramush Haradinajn: Budalla që e zbuloi Facebooku

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 18:47

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka degraduar me gjuhë në konferencën e përbashkët me Frederica Mogherinin ndërsa i është përgjigjur deklaratave të fundit të kryeministrit Ramush Haradinaj për një plan mes tij, Thaçit e Vuçiqit për copëtimin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.


    Në konferencë Rama kujtoi dy shprehi, e para ‘Budallain sa pa dalë Facebook e njihte vetëm shtëpia e vet’ dhe e dyta ‘nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme’, ku aludoi në Haradinajn edhe pse sigurisht nuk përmendi emrin e tij, por që akuzat shkojnë në drejtim të kryeministrit kosovar duke pasur parasysh akuzat e bëra sot nga ky i fundit drejt Ramës.

    Kryeministri shqiptar i cilësoi deklaratat për ndarjen e Kosovës gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe budallallëqe të rrezikshme.

    “Sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar një hartë të re të botës në mënyrë të fshehtë, më kujton atë shprehjen që sa pa dalë ‘Facebook’ budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Jetojmë në një botë nga pikëpamja fatkeqe. Nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme është në përdorim të përditshëm duke përfituar nga Facebooku dhe mundësia për torollisur gjithë dynjanë me gënjeshtra të përmasave marramendëse dhe budallallëqe të rrezikshme. Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtet dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, votime referendare në fund mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojnë të gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe atëherë kjo botë ka marrë fund”, deklaroi Rama në konferencë.

    Sipas tij çdo shqiptar e kupton se kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që të mund të shitet dhe blihet në territorin e marrëzisë online.
    “Për më shumë do të shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia. Kaq besoj se mjafton për sot. Falënderoj Federicën, ata në komision që po punojnë për raport progresin. kam shumë besim se do marrim rekomandim pa kushte”, theksoi Rama.

    Ky reagim i ashpër i Ramës vije pasi deklaratës së më poshtme që bëri sot Haradinaj në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas Samitit të Berlinit.

    “Ekziston një dyshim i bazuar që zoti Vuqiq, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës, ekziston ky dyshim i bazuar nuk mund ta konfirmoj, por ekziston ky dyshim i bazuar se kjo është bërë nën udhëheqjen e zonjës Mogherini, shpresoj që tani ata do t’i kërkojnë falje njëri-tjetrit për kohën që ia kanë humbur vetes dhe popujve të vet, edhe BE-së, taksa paguesve të BE-së ja kanë humb mbi një vjet kohë dhe i kanë shkaktuar humbje investimit të BE-së për më shumë Evropë. Fatmirësisht që ndodhi marrëveshja Greqi – Maqedoni e Veriut, se ndryshe Evropa do të ishte shumë humbëse në investimin e vet, kjo ka mund të shkojë edhe më keq”, tha Haradinaj në këtë tryezë.

    Ndryshe ndaj Haradinajt ka reaguar edhe Mogherini e cila ka mohuar të ketë plan komploti mes saj, Ramës e Thaçit për të copëtuar Kosovën.

    Ajo tha se është e përqendruar plotësisht në punën e saj, e cila është për të krijuar të gjitha kushtet që Kosova dhe Serbia të ulen në dialog për të arritur një marrëveshje të ligjshme mes tyre./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!