Egjiptasit protestojnë në rrugët e kryeqytetit me parullën: Jam komunitet, por kam identitet’

Pjesëtarë të komunitetit egjiptian në Kosovë kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit, duke kërkuar të mos diskriminohen.


Me parulla “Meritojmë të jetojmë dinjitetshëm”, “Duam të jetojmë të barabartë stop diskriminimit”, “Ngjyra ime ka vlerë është dhuratë nga Zoti”, ata kanë kërkuar nga institucionet që t’i trajtojnë të barabartë me të gjithë.

Smajl Demaj, aktivist në këtë organizim, tha se gjatë një viti diskriminohen e më 24 qershor shënojnë ditën e tyre.

“Sa herë vjen qershori kujtojmë një festë përmes saj do të festojmë e pasi të shpërndahemi çka ndodh? Diskriminim gjatë një viti, përbuzje e maltretim, ndoshta sepse jam me ngjyrë dhe kërkojmë lëmoshë, ndoshta, sepse jemi të ndryshëm nga të tjerët në pamje. Ne duhet të integrohemi fillimisht me njeri-tjetrin. Kemi nevojë të solidarizohemi me njëri-tjetrin dhe ta pranojmë ashtu siç është. Jam komunitet, por kam identitet. Edhe sa duhet të tregojmë se djemtë dhe vajzat tona nuk janë vetëm djemtë dhe vajzat e kontejnerëve dhe semaforëve. Ne dimë të bëjmë edhe punë të tjera, por mundësia nuk na jepet”, tha ai.