Danimarka e interesuar për investime në shëndetësi, miniera dhe energji të ripërtëritshme në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin danez në Kroaci, Ole Frijs-Madsen dhe Drejtuesin e Këshillit për Tregti në Ambasadën e Danimarkës në Kroaci, Zarko Masanovic, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Bëhet e ditur se kryeministri kosovar dhe ambasadori danez shprehën kënaqësinë e tyre për nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, dhe të dy palët mirëpresin një intensitet të rritur të bashkëpunimit në çështje ekonomike.

“Ambasadori Frijs-Madsen theksoi interesimin e Danimarkës për mundësi investimesh në sektorët e shëndetësisë, minierave, dhe energjisë së ripërtëritshme”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

“Ndërsa, Kurti shprehu besimin se Kosova ka potencial të madh për të rritur atraktivitetin e saj për investitorët danezë dhe se ky bashkëpunim i thelluar mes dy shteteve do të sjellë avantazhe të konsiderueshme për të dy vendet”, thuhet tutje.