Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Ky Ligj që siç njofton ATK ka hyrë në fuqi më 23 gusht të këtij viti, përcakton shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale.
Më konkretisht, sipas nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-142 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale”, thuhet tutje.
Ligji që përcakton pagën minimale neto prej 250 eurosh parasheh edhe ndryshime në shkallët tatimore.
Tatim deri në këtë vlerë tanimë s’do të ketë.
Tatimi në të ardhura personale vjetore, ngarkohet sipas shkallëve në vijim:
Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind (0%);
Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe
Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €)”.
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se më apo para datës 01 shtator 2024 do të publikojë versionin e ri të sistemit elektronik EDI, përmes të cilit do të deklarohen dhe paguhen: Tatimi në Paga, Kontributet Pensionale dhe tatimet tjera nga personat fizikë afarist dhe jo-afarist, sipas shkallëve të reja tatimore.