×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Takimi në Shkup, Kosova sot do të kërkojë nga Serbia heqjen e barrierave për mallrat vendore

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 11:11

    Sot, në Shkup në takimin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Serbisë, Kosova do të kërkojë heqjen e barrierave që Serbia për vite të tëra ka vendosur ndaj prodhimeve “Made in Kosova”.

    Kështu i tha Radio Kosovës kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna

    “Takimi mbahet me ndërmjetësimin e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, por të pranishëm do të jenë edhe zyrtarët e Komisionit Evropian edhe zyrtarë të Qeverisë gjermane që janë edhe themelues të Iniciativës në kuadër të Procesit ë Berlinit” tha Rafuna, i cili ka lavdëruar rolin e Maqedonisë së Veriut.
    Ai tha se të mërkurën në Shkup është pritur në takim nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

    Në Shkup po zhvillon takimi i rregullt i Bordit Menaxhues i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Bordi i këtij mekanizmi të themeluar në kuadër të Procesit të Berlinit, nga shkurti i këtij viti udhëhiqet nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili ka marrë kryesimin e radhës nga Serbia.

    Forumi Investues i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, siç dihet është krijuar në kuadër të Procesit të Berlinit dhe mbikëqyret nga zyrtarët e lartë të Qeverisë gjermane dhe ata të Komisionit Evropian.

    Takimi që ka filluar dje dhe vazhdon edhe sot, është i rregullt, thotë në intervistë për Radio Kosovën kryesuesi i Bordit Menaxhues i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, Lulzim Rafuna.

    Ai theksoi se ka propozuar që takimi i radhës i këtij mekanizmi të mbahet në Prishtinë

    Rafuna tha se shqetësimet lidhur me barrierat që Serbia ka vendosur tani e sa vite për prodhimet dhe mallrat nga Kosova, i ka ngritur edhe dje.

    Për takimin e sotëm, Rafuan tha se është optimist. “Takimi i sotëm nuk është vetëm një takim bilateral ndërmjet Odës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, por është një takim më i gjerë ku pjesëmarrës janë edhe përfaqësuesit e Odave të tjera të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe zyrtarët e shtetit gjermane dhe ata të Komisionit Evropian. “

    “Takimi i sotëm është po ashtu një mundësi e artë, pasi Bordi Menaxhues i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor nga shkurti udhëhiqet nga Kosova dhe kjo ofron mundësinë të ngritët zori për të gjitha shqetësimet ekzistuese.”

    Për pengesat dhe barrierat konkrete të vendosura nga Serbia për mallrat e Kosovës, Rafuna shprehet:

    “Pengesë dhe barrierë kryesore është pengimi i eksportit të prodhimeve të Kosovës drejt Serbisë. Këto shqetësime ngritën përditë nga prodhuesit e Kosovës, të cilët vijnë në zyrën e Odës Ekonomike të Kosovës. Fjala vjen, Birra e Kosovës nuk lejohet të eksportohet në Serbi me arsyen e vetëm sepse në etiketën e birrës shkruan “Made in Kosova”. Ka një kërkesë tepër të madhe nga kompani të shumta në Serbi për importin e birrës së Kosovës, por kjo pengohet nga Qeverisa serbe. Të njëjtat pengesa ekzistojnë edhe për prodhimet e lëngjeve të tjera jo të gazuara. Vetë prodhuesit e këtyre produkteve kanë ngritur shqetësimin se drejt Serbisë mund të eksportojnë vetëm dy ditë në javë pasi vetëm dy ditë Serbia mban inspektorët e saj në kufi, ndërsa Kosova inspektorët e saj i mban 24 orë gjatë shtatë ditëve të javë në vendkalimet kufitare. Pra, tani, ata ose duhet si ne të vendosin 24 orë në shtatë ditë të javës inspektorët e tyre në kufi, ose ne të vendosim inspektorët e tanë ashtu si ata vetëm dy ditë në javë, në mënyrë që as ata të mos mund të eksportojnë ditëve të tjera në vendin tonë”.

    Pengesë tjetër e Serbisë, sipas Rafunës, është mosnjohja e certifikatave fito sanitare dhe atyre veterinere.

    “Kjo penalizon shumë prodhuesit dhe kompanitë kosovare, që të mos munden fare të eksportojnë mallrat e tyre në tregun e Serbisë”.

    Ka edhe shumë probleme të tjera të natyrës administrative, kur zyrtarët serbë në kufi vonojnë ngarkesat me mallra për ditë të tëra, thotë Rafuna:

    “Ata i mbajnë mallrat kosovare me ditë të tëra në terminalet doganore me arsyetime për mungesë gjoja të analizave të ndryshme të mallrave, duke rritur me automatizëm koston e produkteve kosovare dhe për pasojë duke bërë shumë më të shtrenjtë daljen e prodhimeve të Kosovës në tregun e Serbisë”.

    “Të gjitha këto pengesa do të ngritën sot dhe do të bëjmë përpjekje që t’i largojmë”, tha për Radio Kosovën drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!