×
  • Lajme
  • Lajme

    EKSKLUZIVE: Në mesin e të arratisurve nga kampet siriane janë edhe 5 luftëtarë shqiptarë të ISIS-it

    Reporteri
    16 Tetor 2019 | 14:30

    Pesë luftëtarë shqiptarë të ISIS-it, janë në mesin e 25 të arratisurve nga kampet siriane, të dielën, pas operacionit ushtarak të shtetit turk në Siri. Katër prej tyre janë nga Kosova dhe një tjetër nga Maqedonia, merr vesh Gazeta Online “Reporteri.net”.


    Rreth 25 shqiptarë, kryesisht familjarë të pjesëtarëve të ISIS, janë arratisur nga kampet siriane ku po mbaheshin prej muajsh, pasi që Turqia dërgoi trupat ushtarake në Siri.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportuar të mërkurën në mesditë për këtë rast, duke sjellë edhe pamje ekskluzive me video nga momenti i arratisjes së tyre nga kampi “Ei Issa” në veri të Sirisë.

    Në mesin e të arratisurve, Reporteri.net merr vesh se janë edhe 5 luftëtarë shqiptarë të ISIS-it, katër prej tyre nga Kosova dhe një nga Maqedonia.

    Xhafer Rexhepi, Faton Ivaja dhe Beqo Idrizi, Ylber Bela, janë katër emrat e luftëtarëve kosovarë të ISIS-it, që janë arratisur. Bashkë me ta, nga kampet siriane, të dielën ka arritur të ikë edhe Bekim Fidani.

    Ky i fundit me prejardhje nga Maqedonia, por që aktivitetin e tij me grupet e dyshimta për terrorizëm, e kishte zhvilluar në Kosovë. Fidani njihej edhe si njeriu më i afërt i Lavdrim Muhaxherit, kryeterroristit shqiptarë, tashmë i vrarë.

    I afërt me liderin shqiptar të terroristëve të ISIS-it ishte edhe Beqo Idrizi.

    Në foto: Beqo Idrizi dhe Lavdrim Muhaxheri

    Bekim Fidani dhe Faton Ivaja, janë nder shqiptarët e parë që kanë shkuar për të luftuar në Siri, qysh në vitin 2013, shkruan Reporteri.net. Të dy rrugën për në xhihad e kishin marrë nga Kosova.

    Në foto: Bekim Fidani (i rrethuar me të kuqe), bashke me dy luftëtarë tjerë të ISIS-it.

    Rreth 25 shqiptarët e arratisur nga kampet siriane, para katër ditësh, kryesisht gra dhe fëmijë, mbaheshin në tre kampe të ndryshme siriane, Al-Roj, Al-Haël dhe Ein Issa, në veri të Sirisë. Më saktësisht, këto kampe ndodhen në zonën afër vendit të quajtur “Qamishli” në kufi me Turqinë dhe Sirinë.

    Ndryshe, nga kampe të ngjashme në Siri, muaj më parë autoritetet kosovare të ndihmuara nga SHBA-ja, kanë arritur të riatdhesojnë në Kosovë 110 persona, kryesisht gra dhe fëmijë kosovarë që kishin mbetur të ngujuar në zonat e luftës. Në mesin e tyre ishin edhe katër luftëtarë të ISIS-it. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!