×
Intervista

Eksperti i sigurisë: Në krye të AKI-së të vije një person me integritet të lartë profesional dhe kombëtar – problemet me xhandarmerinë serbe i zgjidh markimi i vijës kufitare

Autor:Blendi Gashi
25 Mars 2021 | 12:17

Gazeta Online “Reporteri.net” para disa ditësh raportoi se janë propozuar disa emra të kandidatëve për drejtor të AKI-së e që të njëjtit edhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit nga institucioni që synojnë ta marrin në drejtim. Në mesin e këtyre emrave është ai edhe i ekspertit të sigurisë, Drizan Shala.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka zhvilluar një intervistë me Shalën i cili thotë se nëse vlerësohet që të jetë kryeshef i AKI-së, nuk do i iki përgjegjësisë. Por, thekson se nuk mund të thotë diç më shumë.

Thotë se qeveria Kurti dhe Presidenca e vendit sa ma parë duhet të ndërmarrin hapa konkret për të zgjedhur drejtorin e ri të këtij institucioni, i cili sipas Shalës duhet të jetë i pavarur në aspektin politik dhe me integritet të lartë profesional, por edhe kombëtar.

Në intervistë, Drizan Shala, si njohës i çështjeve të sigurisë komenton edhe emërimin e ish-ushtarakut norvegjez nga Kosova në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë Kurti 2. Ai vlerëson edhe gjendjen e sigurisë në vend, dhe raportimet për hyrjen e xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës.

Lexojeni të plotë intervistën e ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

REPORTERI.net: Para dy ditësh është formuar qeveria e re, ku ministër i Mbrojtjes është emëruar ushtaraku Armend Mehaj. Cilat janë sfidat që e presin ministrin e ri?

Drizan Shala: Në fakt ministri i ri i mbrojtjes z.Mehaj në aspektin profesional ka të përfunduar shkollën e oficerëve në Norvegji ku sipas vlerësimeve nga NATO-ja është shkolla e dytë më e mirë në botë e cila përgatitë kuadro ushtarak për nivelet e oficereve.

Ardhja e ti në krye të mbrojtjes mendoj që do t’i kontribuon procesit e tranzicionit të filluar nga ana e kësaj ministrie apo siç njihet plani 10 vjeçar për të arritur kapacitetet e plota ushtarake, sepse mund të ndihmoj edhe nivelit ushtarak, por edhe atij politik për të vazhduar këtë proces pa shkëputje të informacioneve.

Oficerët e vendeve të skandinavis janë të njohur për njohurit që i kanë, ku vendet si Amerika, Gjermania, Italia dërgojnë oficerët deri të grada e gjeneralit për t’i rritur njohurit e tyre ushtarake të një modeli që përdorin këto shtete.

Bazuar në këto parametra nga aspekti i klimës së punës, por edhe atij profesional mendoj që mbetet të shihet se sa mund të inkorporohet në kapjen vizuale të proceseve që janë duke u zhvilluar brenda ministrisë dhe që kulturën e punës norvegjeze ta vendos brenda nivelit politik dhe atij ushtarak.

REPORTERI.net: Jo rrallë herë është ngritur si temë buxheti i vogël për ushtrinë. A duhet buxheti të jetë më i lartë për të përmbushur nevojat e armatimit dhe pajisjes së kësaj force?

Drizan Shala: Sektori i mbrojtjes së Republikës së Kosovës është faktike që ka një buxhet të vogël sa i përket ambicieve për të realizuar planin e saj 10 vjeçar të tranzicionit, i ndarë në 3 faza. Pra bazuar për vitin 2021 nuk pres ndonjë ndryshim në aspektin buxhetor për ushtrinë, por për vitin 2022 e tutje përfaqësuesi politik i kësaj ministrie duhet që të loboj në qeveri dhe kuvend për rritjen e 100% të buxhetit për t’i plotësuar kërkesat dhe nevojat ushtarake dhe FSK-ja të jetë në trend me vendet e rajonit.

Sa i përket pjesës së armatimit, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës politike për të armatosur FSK-në, janë disa pengesa të bazuara në planin e Ahtisarit e cila ndërlidhet me sektorin e peshës së armatimit për FSK-në.

Z. Shala ne si media kemi mësuar nga burimet në Presidencë se emri juaj është në mesin e kandidatëve për drejtor të ri të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë? Ç’mund të na thoni për këtë?

Shala: Për informacionin që posedoni që ndërlidhet më lakimin e emrit tim për pozitën e të parit të AKI-së, unë mund t’ju them se nëse vlerësohet që duhet të jem unë në atë pozitë nuk do i iki përgjegjësisë, por deri më tani mund t’ju them vetëm atë çka kam lexuar edhe unë në medien tuaj, dhe nuk mund të them asgjë më shumë.

Si e shihni shkarkimet e shpeshta të drejtorëve të AKI-së? Sa e rrezikon kjo këtë agjencion?

AKI-ja ka mbetur më U.D dhe si pasojë e situatës politike është krijuar një pasqyrë jo e mirë në arenën ndërkombëtare të institucionet mike të AKI-së, që është duke humbur kredibiliteti i punës se këtij institucioni si rezultat i lirimeve nga detyra dhe shkarkimeve të drejtorëve të këtij mekanizmi që janë duke ndodhur shpesh.

Pra, qeveria e z.Kurtit dhe Presidenca e vendit sa ma parë duhet të ndërmarrin hapat konkret për të zgjedhur drejtorin e ri të këtij institucioni, i cili duhet të jetë i pavarur në aspektin politik dhe me integritet të lartë profesional, por edhe kombëtar.

A funksionojnë mekanizmat e sigurisë në vend dhe sa parandalojnë veprat kriminale?

Kosova ka krijuar institucione të ndryshme të cilat ndërlidhen më hallkën e sigurisë, por bazuar në raportet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar që vlerësojnë punën e gjitha institucioneve vendore është paraqitur që krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimet ekonomike janë tri sfera që mekanizmat aktual të sigurisë janë duke ngecur në përmbushjen e detyrimeve që derivojnë nga ligjet e Kosovës.

Pra në Kosovë duhet që të krijohen edhe katër mekanizma të sigurisë të cilat do kishin më përmbyll arkitekturën e sigurisë se Republikës se Kosovës dhe të cilat janë : 1. Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar; 2. Agjencia për Mbrojtjen e Sulmeve Kibernetike; 3. Agjencia për Zbulim dhe Kundër-Inteligjencë; 4. Agjencia (Byroja) Nacionale e Hetimeve.

Disa herë xhandarmëria serbe u raportua se ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, konkretisht në Karaçevë. Çfarë duhet të ndërmarrin mekanizmat e sigurisë në ruajtjen e paqes në Kosovë?

Lëvizjet nga ana e Xhandarmerisë në pjesët e territorit të Republikës se Kosovës po krijon shëtisim të banoret e atyre fshatrave ku kjo forcë hynë. Por problemi kryesor apo më mirë të themi zgjedhja e kësaj situate është në fillimin e markimit të vijës kufitare shtetërore në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila siç shihet do të jetë më shumë problem politik se sa problem teknik.

Pra institucionet e vendit duhet që të organizojnë më shumë patrullime në atë pjesë të forcave të rendit si dhe në kuadër të një plani operacional të vihen në dispozicion edhe një regjiment i FSK-së e cila mund t’i asistojë forcave të rendit në një situatë më të komplikuar e cila mund të prodhohet nga këto ndërhyrje. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!