×
Intervista

Elmi Reçica, PDK: Marrëveshje më Serbinë, vetëm me njohje dhe garancë të SHBA’ve – për targat, Qeveria të koordinohet me aleatët

Autor:Blendi Gashi
01 Nëntor 2022 | 17:00

Sa herë që kemi vepruar në kooordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian si shtet kemi arritur t’i zgjidhin problemet e rënda, andaj Qeveria dhe Presidenca e Kosovës duhet të koordinohen shumë afër me miqtë tanë, sponzorizuesit e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit në të gjitha çështjet, si për targat ashtu edhe për dialogun me Serbinë dhe të përfillin kërkesat e tyre. Ky është mesazhi që u jep krerëve të shtetit, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, përmes një interviste dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.

Ndërsa flet për një marrëveshje finale me Serbinë, deputeti Reçica thotë se asnjë marrëveshje e cila cenon kushtetutshmërinë dhe parimet kushtetuese të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitaritetin shtetëror, nuk e ka mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Shqetësimi im është se një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë pa njohjen e ndërsjellë, pa një traktat paqeje dhe pa një garanci të ShBA- së dhe BE- së mund të lë hapur çështje delikate që mund të rikthehen në probleme të mëdha ndërshtetërore të cilat mund të rrezikojnë stabilitetin në tërë regjionin e Ballkanit”, thotë deputeti Reçica.

Në këtë intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri, deputeti i PDK-së flet edhe për tema të tjera, si Asociacioni, mundësinë që vizat të liberalizohen në dhjetor, për gjendjen aktuale të PDK-së e rolin e saj në Kuvend.

Reporteri.net: Si e keni parë vendimin e ri të kryeministrit Kurti për targat dhe reagimin e SHBA-së dhe BE-së?

Elmi Reçica: Marrëveshja për targat krijon detyrime për të dy palët, ndërhyrja direkte e shtetit serb te komunitetit jo shumicë serb në Kosovë është e papranueshme, e dëmshme dhe i vë në pozitë shumë të rëndë serbet e Kosovës.

Por, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës duhet të koordinohen shumë afër me miqtë tanë sponzorizuesit e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit në të gjitha çështjet. Nuk duhet lejuar që çështjet e vogla të na pengojnë për të pa dhe zgjidhë problemet e mëdha të cilat janë jetike për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Kërkesat e sinqerta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian është e domosdoshme të përfillën, sepse sa herë që kemi vepruar në koordinim me këto dy qendra të vendosjes shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj kanë arritur t’i zgjidhin problemet më të rënda, çështjet vitale që kanë ndikuar dhe do të ndikojnë në perspektivën e Republikës së Kosovës.

Pa mbështetjen e tyre të gjithë e kemi të qartë dhe të ditur se ku do të ishin ne sot.

Vizitat e shpeshta të Lajçak por dhe të Escobar në Kosovë a janë një sinjal që po shkohet drejt një marrëveshje finale?

Reçica: Vizitat e zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Escobar dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, z. Lajçak, por edhe intensifikimi i ndërmarrjes së përbashkët të komunitetit ndërkombëtar në relacion me këtë çështje, duhet të shihen nga pikëveshtrimi i nevojës për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila në epiqendër të saj duhet të ketë njohjen e ndërsjellë.

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të avancoj e fuqizoj subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Asnjë marrëveshje në mes të dy shteteve sovrane dhe të pavarura të Kosovës dhe Serbisë nuk është e plotë nëse nuk siguron njohjen e ndërsjellë dhe ulësen në OKB, të cilat hapin rrugën për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në organizatën më të madhe botërore të sigurisë, NATO. Në këtë drejtim, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë në koordinim dhe bashkëpunim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Cili është shqetësimi juaj si deputet, por dhe PDK rreth kësaj teme tejet të ndjeshme?

Realisht qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe i imi, ka qenë konsistent dhe kompatibil me interesat vitale të Republikës së Kosovës për çimentimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si një proces i pakthyeshëm pas gjithë atij angazhimi të përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve që rezultoi me shpalljen e pavarësisë së vendit, njohjen nga shumica e shteteve gjithandej botës dhe anëtërësimi në shumë organizata e organizma ndërkombëtar, pa harru asnjëherë faktin se legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka përligjë institucioni kryesor botëror i drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Të gjitha këto janë realizuar me mbështetjen e fuqishme të partnerëve tanë ndërkombëtar, veçanarisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E gjithë kjo punë që është bërë duhet gjithsesi të kurorëzohet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes dy shteteve dhe me garancën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brukselit zyrtar.

A e keni parë propozimin e shumëpërfolur franko-gjerman të cilin Escobar ka deklaruar se SHBA e mbështet? Çmendim keni ju për këtë propozim?

Kjo është qeveria më jo transparente që ka njohur historia e re e Kosovës. Transparenca është një nga elementët imanente të demokracisë në secilin shtet e secilen shoqëri.

Në anën tjetër, është parim i njohur ndërkombëtar se komuniteti ndërkombëtar, por edhe shtetet të cilat janë në proces, përkrahin secilen marrëveshje e cila arrihet me pajtimin e dy shteteve palë negociuese. Ajo çfarë është e rëndësishme ka të bëjë me pozicionin dhe vizionin e institucioneve të vendit përkitazi me elementet e marrëveshjes dhe cilësinë e saj. Asnjë marrëveshje e cila cënon kushtetutshmërinë dhe parimet kushtetuese të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitaritetit shtetëror, nuk e ka mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës.

Escobar ka deklaruar se SHBA e mbështesin një marrëveshje finale edhe nëse brenda saj nuk është njohja reciproke. Për ju ç’do të thotë kjo?

Së pari unë çmoj rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të ShBA – së dhe të deleguarit të saj, z. Escobar, në këtë proces.

Duke pasur parasyh paqëndrueshmërinë dhe jostabilitetin e Serbisë në marrëveshje të tilla, duke qenë se kjo e fundit nuk ka treguar se është e gatshme t’i rrespektoj marrëveshjet e arritura, shqetësimi im është se një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë pa njohjen e ndërsjellë, pa një traktat paqeje dhe pa një garanci të ShBA- së dhe BE- së mund të lë hapur çështje delikate që mund të rikthehen në probleme të mëdha ndërshtetërore të cilat mund të rrezikojnë stabilitetin në tërë regjionin e Ballkanit.

Sipas jush a ka rrezik të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe?

Kjo çështje është e vendosur në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 23 Dhjetor 2015 dhe si i tillë shërben si udhërrëfyes për hapat tjerë. Ky asociacion në asnjë mënyrë nuk duhet të sfidon parimin dhe konceptin kushtetues të vetëqeverisjes lokale. Kosova ka vetëm dy nivele të pushtetit, atë lokal dhe qendror.

Pse PDK nuk shkojë në takim me Kurtin. A do të ishte mirë ta ndëgjoni si subjekt se çfarë ka për të ju thënë nga afër?

Së pari, Kryeministri i Kosovës, z. Kurti, është vonuar shumë dhe ka injoruar tërësisht komunikimin me partitë opozitare për çështjet më vitale të shtetit, të gjitha pa përjashtim. Ai ka besuar se të gjitha problemet mund t’i zgjidhë vet dhe tani kur është rritur angazhimi i ShBA- së dhe BE- së për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë ai ka kërkuar takim me partitë opozitare. Mënyra se si e ka bërë ftesën dhe injorimi që i ka bërë partive opozitare janë dy argumente që kan qenë vendimtare për të mos shkuar në atë takim. Por, qëndrimin për të mos shkuar e ka deklaruar publikisht Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi. Çështjet e tilla të nivelit shtetëror nuk mund të zgjidhen pa një gjithëpërfshirje të të gjitha subjekteve shtetërore dhe politike të Kosovës.

A do të kërkoni nga Kurti të raportojë në Kuvend për atë se ç’po ndodh në dialogun me Serbinë?

Do të koordinohemi edhe me grupet tjera parlamentare dhe do të marrim një vendim për hapat e mëtutjeshëm.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se pret heqjen e vizave deri në dhjetor duke mos u kushtëzuar me ETIAS. A pritni dhe ju që sivjet të liberalizohen vizat?

Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që nga viti 2018 dhe këtë disa herë e ka konstatuar Komisoni dhe Parlamenti Evropian. Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave dhe agjendën euroatlantike të Kosovës. Është krejtësisht normale që Kosova të fitoj libralizimin e vizave dhe me procedura të përshpejtuara të rrugëtoj drejt integrimit evropian dhe anterësimit në NATO.

Të kthemi pak tek PDK. Ju jeni angazhuar ta rritni sa më shumë në diasporë. Në çfarë pike është sot PDK? A është gati për zgjedhjet të reja eventuale?

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës ka pasivizuar dhe shuar aktivitetin politik në mërgatë. Kjo është bërë në interes të mërgatës sonë për t’i lënë ata të lirë nga angazhimi politik duke qenë se është menduar që pas gjithë atij angazhimi dhe kontributi të mërgatës sonë për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, është koha që aji t’i realizoj interesat dhe nevojat e saj nëpërmes rrugëve institucionale siç janë Ambasadat, Konsullatat, Qendrat Kulturore të Republikës së Kosovës, pastaj klubet dhe shoqatat e ndryshme e të tjera. Është shumë e rëndësishme që mërgimtarët tanë të jenë sa më të integruar në shtetin mikpritës dhe ta ruajnë identitetin e tyre.

Kjo hapësirë është keqpërdorur nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka shfrytëzuar atë për të kontaminuar mërgatën me të pavërteta dhe gënjeshtra për Partinë Demokratike të Kosovës dhe veçanërisht liderët e saj. Prandaj, angazhimi ynë në mërgatë është angazhim për të vërtetën para së gjithash.

Si Kryetar i Komisionit për Organizimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Mërgatë, bashkë me anëtarët tjerë të këtij komisioni, kryesinë e PDK- së, Grupin Parlamentar, Kryetarët e Komunave si dhe Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike jemi duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe me instensitet të madh.

Kemi mbajtur Kuvendin e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër dhe Suedi, kemi themeluar Degën e PDK- në Francë, së shpejti do ta themelojmë edhe në Itali dhe në shtete tjera. Në Republikën Federale të Gjermanisë kemi në plan të themelojmë gjashtë degë nga të cilat dy janë themeluar, ato në në Bavari dhe Baden Wurttemberg. Gjatë muajit Nëntor do të mbahen Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK- së në Kanada.

Partia Demokratike e Kosovës do të shtrihet në të gjitha shtetet gjithandej. Ne po rritemi në mërgatë për çdo ditë. Mërgata si një komunitet fisnik e bujar që është, natyrisht edhe me bagazh dhe kontribut të madh në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, por edhe në ruajtjen e kohezionit social në Kosovë, meriton të dijë për të vërtetën e luftës çlirimtare, për të vërtetën për dy liderët historik të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Unë jam i lumtur që kjo e vërtetë po kuptohet dhe mirëpritet jashtëzakonisht mirë nga mërgata jonë dhe për këtë unë u jam shumë mirënjohës.

Sa jeni të kënaqur me opozitën brenda Kuvendit që po bën partia juaj?

Ne jemi pak në numra por shumë në angazhim e punë. Ne nuk imitojmë të tjerët por implementojmë politikat tona burimore dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Asnjëherë, as kur kemi në qenë në pushtet e as tash kur jemi ne opozitë, ne nuk e vendosim interesin e partisë para atij nacional.

Tashmë janë bërë tri vite që Partia Demokratike është në opozitë dhe përgjatë kësaj kohe ne kemi mbrojtur interesin e përgjithshem sa kemi mundur e sa kemi ditur pa synu asnjëherë që kemi qenë të përkryer.

Opozita jonë është dhe do të mbetet konstruktive në kuptimin e qëndrimit e kreative në kuptimin e veprimit. Kësisoji, kemi propozu masa konkrete për përballje me krizën ekonomike siç janë heqja e TVSH- së për mallrat esenciale për 6 muaj, heqja e akcizës për derivatet e naftës, heqja e TVSH- së për energji për 6 muaj, rritja e pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale, tërheqja e Trust-it deri në 30 % në mënyrë të përshkallëzuar për të cilën gjë kemi inicu edhe projektligjin në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kemi votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Këtu nuk duhet harruar se pushteti aktual e opozita e dikurshme, përveç që nuk ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare, nuk e ka votuar marrëveshjen e vetme kontraktuale me Bashkimin Evropian, siç është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Kemi inicu shumë nisma ligjore, rezoluta dhe debate e interpelanca parlamentare, siç janë debati dhe rezoluta për gjetjen e zgjidhjes për ndaljen e grevës në arsim dhe shërbimin civil, në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale, për krizën energjetike, për gjendjen e rëndë në shëndetësi apo politikën e jashtme e cila është skandaloze.

Me insistimin dhe kërkesën tonë është themeluar Komisioni Hetues Parlamentar në Lidhje me Menaxhimin e Krizës Energjetike nga Qeveria. Kemi sfiduar në Gjykatën Themelore dhe kemi fituar rastin për masën e përkohshme për rritjen e çmimit të energjisë.

Kemi kundërshtuar dhe do të kundërshtojmë Projektligjin për Pagën Minimale përderisa nuk përfshihen veteranët e luftës në të. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!