×
  • Lajme
  • Lajme

    Emergjenca e Podujevës e la pacienten dy orë me gjakderdhje në tru dhe s’e dërgoi me autoambulancë në QKUK

    Reporteri
    22 Janar 2021 | 10:56

    Një paciente me iniciale E.S. u dërgua shpejt nga fëmijët e saj në Emergjencën e Podujevës, pasi kishte probleme me shëndetin.


    E.S. ishte dërguar në Emergjencë të martën mbrëma pothuajse pa vetëdije, me gjendje të sulmit në tru pasi i ishte paralizuar ana e djatht e trupit dhe goja, shkruan Gazeta Shneta.

    Ndonëse ishte pranuar në këtë gjendje të rëndë, stafi mjekësor e ka mbajtur për dy orë pacienten në Emergjencë. Ata i kanë udhëzuar fëmijët që ta dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, por nuk iu kanë ofruar transport me autoambulancë.

    Një familjare e saj Ibadete Sejdiu, thotë se pacientja ishte dërguar në Emergjencë me tension 220/180.

    “Në këtë gjendje e kanë mbajt dy orë në emergjencë. Nuk e kanë dërgu me autoambulancë në Prishtinë. Kanë than se nuk kemi shofera. Fëmijët e saj nuk kanë leje për vozitje dhe janë detyru me sjellë vet në Prishtinë, ndonëse edhe vetura ka qenë pa regjistrim dhe pa sigurim”, ka deklaruar Sejdiu.

    Ajo ka thënë se edhe kur kanë mbërri në Prishtinë, fëmijët rreth 20 vjeç kanë gabuar rrugën në hyrje të kryeqytetit duke u futur në një fshat e më pas janë vonuar edhe për disa minuta derisa janë drejtuar në QKUK.

    “Mjeku kujdestar në Emergjencë ju ka than fëmijëve nëse doni me pas nënën gjallë dergone ju vet në Prishtinë se ne nuk kemi shofer”, ka deklaruar Sejdiu.

    Pacientja aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën e Neurologjisë në QKUK me gjakderdhje në tru.

    Gazeta ka kontaktuar me drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë Dr. Ymer Llugaliu. Ai ka thënë se shërbimi i emergjencës funksionon 24 orë dhe në momentin kritik të pacientes E.S., autoambulanca ka qenë në një rast tjetër.

    “Autoambulanca ka qenë në një rast tjetër. Kam kërkuar raport me shkrim për këtë rast. Familjarët nuk kanë bërë ankesë me shkrim por vetëm më janë drejtuar gojarisht. Kaq mund të them për momentin”, ka dekaruar Llugaliu.

    Sejdiu në anën tjetër ka thënë se familjarja e tyre është ende në gjendje të rëndë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!