×
  • Lajme
  • Lajme

    Emisari i Scholzit për Ballkanin Perëndimor: S’ka plan franko-gjerman, por evropian – pjesët e publikuara s’janë të sakta

    Reporteri
    16 Nëntor 2022 | 19:10

    Për shumë kohë u quajt plani franko-gjerman si një kornizë e re e dialogut Kosovë-Serbi. Por, hartues i këtij plani doli të jetë shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell, bashkë me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

    E për gjithë këtë kohë sa ky plan që thuhet të jetë dyfaqësh dhe u quajt franko-gjerman, e çuditë edhe emisarin gjerman, Manuel Sarrazin.

    Në një intervistë për RTK, Sarrazin tha se ka muaj që e thotë se plani është evropian, e jo franko-gjerman.

    Por, Sarrazin nuk ka dashur të lëshohet në asnjë deklarim të tij, rreth përmbajtjes së këtij plani, derisa ato që i publikuan mediat u shpreh se nuk janë të sakta.

    Por, krejt çka pranoi të thotë është se përmbajtja e planit dhe diskutimet që bëhen mbi të, janë të dobishme, ndihmuese e që Kosova e Serbia të kenë rrugë më të shpejtë drejt BE-së.

    “E kuptoj që ky plan dhe negociatat për të janë shumë të rëndësishme për popullin në Kosovës dhe Serbisë dhe normalisht që ka interesim të madh dhe dëshirë për një diskutim publik të përmbajtjes”, tha Sarrazin.

    “Unë vetëm mund të them që përmbajtja e planit dhe diskutimet që bëhen mbi të janë të dobishme”.

    Ai deklaroi se janë ndihmuese për atë qëllim që ta bëhet rajoni më i afërt mes vete e që Kosova e Serbia të kenë rrugë më të shpejtë drejtë BE-së.

    “Kjo qasje ka disa arsye dhe Ballkani Perëndimor i di më mirë këto arsye sesa unë. Nuk mund të nxirret çdo gjë në publik në këtë fazë, është çështje delikate”, tha ai.

    Megjithatë, Sarrazin nuk pranoi të thoshte asnjë fjalë nëse Serbia e ka refuzuar një plan të tillë.

    “Ky plan është ende në diskutim e sipër. Qëndrimi i qartë i Qeverisë së Serbisë do të paraqitet vetëm nga presidentii këtij vendi, dhe nuk jam në pozitë për ta diskutuar”, shtoi ai.

    Emisari gjerman ka kërkuar fleksibilitet sa i përket çështjes së targave. Ai tha se situata është e tensionuar dhe mund të pritet edhe ndonjë kundërveprim.

    Sipas tij, çështje është se çfarë tjetër mund të ofrojë Kosova, nëse nuk e shtynë vendimin.

    “Ne besojmë se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të zgjidhë çështjen e targave të veturave, por nuk na duhen vetëm parimet”, tha Sarrazin.

    “Gjithsesi na duhet edhe fleksibilitet për të gjetur zgjidhje që të mos jetë edhe e rrezikshme. Të gjithë e dimë që situata është e tensionuar dhe mund të pritet edhe ndonjë kundërveprim”.

    Ai deklaroi se përgjegjësia për gjetjen e zgjidhjeve qëndron tek të dyja palët. “Por na duhet gjithsesi fleksibilitet në këtë drejtim”.

    Sarrazin, tha se koha është vendimtare që të hiqet presioni e trysnia nga kjo tryezë dhe pastaj të gjenden zgjidhjet më të mira.

    Diplomati gjerman i ngarkuar si emisar i veçantë për Ballkanin Perëndimor nga kancelari Olaf Scholz, tha se trysni u bëhet të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne zakonisht u bëjmë trysni të dyja palëve, dhe mendoj që kjo është me rëndësi të thuhet’, tha Sarrazin.

    “Serbia për një kohë të gjatë ka pasur mundësi shumë të mira që të angazhohet dhe të gjejë zgjidhje të mira”.

    Sarrazin deklaroi se tema e targave është debatuar për një kohë shumë të gjatë dhe Serbia nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje që do të ishte ndihmuese, e që do të çonte drejt vendimit përfundimtar për targat.

    “Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje e dialogut, dhe është koha e duhur për të filluar bisedimet për të nxjerrë konceptet kryesore, që të tregohet që nuk është temë tabu që Qeveria ta diskutojë”, deklaroi ai.

    Sarrazin ka thënë se duhet t’i besohet Lajçakut si ndërmjetës i këtij procesi.

    “Mesazhi im ishte i qartë për secilin dhe i njëjti është- fleksibilitet. Të shohim se si të arrijmë tek zgjidhja e kësaj situate, e t’i besojmë Lajçakut, t’i japim një mundësi për të gjetur atë hapësirën e përbashkët dhe pastaj mospajtimet”.

    Por Sarrazin kërkoi që ta mendojë secili situatën deri në fund. “Besoj se askush nuk e do përshkallëzimin, por kjo mund të ndodhë edhe pse këtë nuk e do askush”.

    Sarrazin tha se koha po ecën dhe nuk po e sheh ndonjë zgjidhje në horizont.

    “Ajo që kuptoj unë, si në Beograd edhe në Prishtinë edhe në Mitrovicë, shumë njerëz po frikësohen që koha po kalon dhe ne duhet gjithsesi të ulemi e të bisedojmë”, tha ai.

    “Për mua është një gjë kyçe të kërkohet më shumë kohë, nuk duhet të jetë gjithmonë kështu, por në këtë situatë konkrete është domethënëse që të dalim nga ai kurthi i kohës që po ikën”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!