×
  • Lajme
  • Lajme

    Enver Hasani për draftin e FES: Komunat e përfshira kthehen në agjenci të Serbisë në Kosovë

    Reporteri
    31 Janar 2023 | 18:42
    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, po e cilëson si problematik draftin e FES për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Hasani ka listuar disa prej efekteve që i ka evidentuar në këtë draft-propozim të organizatës gjermane, ku ndër to ka përmendur kompetencat ekzekutive që ky draft ia jep Asociacionit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas Hasanit, kjo mund të nënkuptojë edhe se komunat e përfshira shndërrohen në agjenci të Serbisë në territor të Kosovës.

    “Do të veçoja disa gjëra që janë mjaft problematike: e para, ajo që shihet qartë nga prezantimi dhe mbrojtja e djeshme e këtij drafti nga akterët e tij është se ata nuk e kanë të qartë se Asociacioni që propozojnë përfaqëson një entitet legal të së drejtës publike, me kompetencë ekzekutive autonome; e dyta, kjo shihet nga vetë fakti thjeshtë se vendimet e Asociacionit i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë, gjë që nuk ndodh me entitete legale që janë nga e drejta private; e treta, përfaqësimi i komunave, jo i qytetarëve të saj, në Kuvendin e Asociacionit, bën që ai të jetë agjenci shtetërore që zëvendëson ushtrimin e juridiksionit në sferën e vetqeverisjes lokale nga ana e komunave ekzistuese. Kjo nënkupton se Kuvendi, që definohet si një organ suprem i tij, të jetë konjuktural dhe të dominohet nga vullneti grupeve të ngushta të interesit, jo nga vota e qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në komunat anëtare të Asociacionit; së fundi, roli dhe pozita e Serbisë ka kuptim në nivelt të vetëqeverisjes lokale, por jo edhe në nivel të përfaqësimit të komunave anëtare, të cilat me Statut shndërrohen si një agjenci e Serbisë në territorin e Kosovës”, thotë Hasani për Express.

    Megjithatë, ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, shtoi se nuk ka pasur asnjëherë dyshime nëse Asociacioni do duhet formuar, pasi tha se kjo është vendosur qysh prej vendimit të Kushtetueses në 2015’ën.

    Hasani po ashtu theksoi se problemi qëndron vetëm te përmbajtja e tij.

    “Asnjëherë nuk ka pasur dilema nëse duhet të formohet Asociacioni komunave me shumicë serbe, që nga dita kur është ratifikuar Marrëveshja e vitit 2013 dhe kur Gjykata Kushtetuese dy vite më pas ka dhënë verdiktin e saj, duke e kthyer këtë në një detyrim kushtetues. Problemi ka qenë dhe është përmbajtja: çfarë Asociacioni duhet të jetë ai, meqë Marrëveshja e vitit 2013 nuk e bën të qartë këtë”, ka thënë Hasani.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetues, ndërkaq, ka treguar vetëm atë se çka nuk duhet të jetë një asociacion. Kjo e bën fare të lehtë operimin me përmbajtjen e tij meqë ai vendim duhte të shërbej si një “road map”. Ka hapësirë pafund për të adresuar shqetësimet e Kosovës në aktin normativ që implementon Marrëveshjen e vitit 2013”, tha ai.

    Fondacioni “Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Instituti Evropian për Paqe” kanë publikuar dje draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Sipas këtij draft-statuti, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Drafti në fjalë që i ka 18 nene, përgjithësisht është i ngjashëm me atë të mëparshmin që ishte rishfaqur në publik muaj më parë.

    Vetëm se, në këtë draftin e ri, Asociacioni është riemërtuar në “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb kosovar është shumicë”.

    Kujtojmë se sot, në selinë e Ambasadës amerikane në Prishtinë, është mbajtur një diskutim për Asociacionin mes ambasadorit Jeff Hovenier si dhe përfaqësuesve të liderëve të shtetit, partive opozitare e shoqërisë civile në Kosovë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!