×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: Afati për targat të shtyhet edhe për 10 muaj, përqëndrimi të jetë në gjëra më të mëdha, e jo në targa e letërnjoftime

    Reporteri
    19 Tetor 2022 | 20:34

    I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se kanë kërkuar shtyrjen për 10 muaj të afatit për ndryshimin e targave serbe, duke thënë se kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA’së, por edhe e gjithë Quintit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Escobar ka deklaruar se është e rëndësishme që Kosova t’i dëgjojë rekomandimet e tyre, meqë janë shtete që e përkrahin më së shumti vendin.

    “Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë që ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një formë paqësore dhe që nuk i ngritë tensionet e që nuk na shpërqëndron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e SHBA-së, por e gjithë Quintit. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka deklaruar Escobar në Kanal 10.

    I pyetur nëse kanë marrë ndonjë zotim nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin kurti për këtë rekomandim, ka thënë se jo, por se janë në pritje.

    Escobar ka paralajmëruar edhe një vizitë të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për këtë çështje.

    “Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë… Kjo është mbështetja jonë për dialogun. Dua ta bëjë shumë të qartë: SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut. Dialogu lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Kërkesa formale për këtë vjen nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesi i BE-së. Nëse ai e bën një kërkesë formale, ne e përkrahim plotësisht”, ka thënë Escobar.

    Sipas Escobar, vëmendja duhet të jetë në gjëra më të mëdha, jo te targat e letërnjoftimet.

    “Kjo është e saktë. Por, në fakt është përtej kësaj. Tani, me atë që po ndodhë në Evropë ajo që nuk na duhet janë tensione të reja në Ballkan. Prandaj, ne ishim të zhgënjyer me rezultatet e para të diskutimeve në Bruksel në korrik dhe duam ta shmangim përsëritjen e një momenti të tillë. Ajo që ne nuk duam është që përkushtimi i emisarëve special, duke më përfshirë mua, të drejtohet kah zgjidhja e problemeve dhe menaxhimi i krizave. Duhet të mendojmë strategjikisht se si Evropa e ruan unitetin e saj, si Evropa i shprehë vlerat e saj, dhe si Evropa i mirëpret vendet e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Ky është qëllimi i dialogut dhe aty duhet ta kemi vëmendjen, jo te targat, jo te letërnjoftimet, por në gjëra më të mëdha me të cilat po ballafaqohemi”, ka deklaruar Escobar./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!