×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar: ShBA nuk vendos afate për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 16:20
    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ShBA e mbështesin propozimin franko-gjerman, por shtoi se nuk kanë vendosur afate për arritjen e marrëveshjes.

    “Nuk jam i vetëdijshëm se propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente brenda disa javësh, por sigurisht që kërkon përparim shumë të shpejtë në dialog”, citohet të ketë thënë Escobar në një intervistë për RTS, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Escobar ka deklaruar se propozimi franko-gjerman duhet të merret parasysh, pasi, sipas tij, e shpejton procesin e arritjes së një marrëveshjeje.

    “Nuk kam vendosur asnjë afat për këtë dhe ai propozim është ende në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Para së gjithash, nuk na takon ne të vendosim afate, por me sa di unë, as evropianët nuk i kanë vendosur ato”, deklaroi Emisari Escobar.

    Kujtojmë se gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, Escobar tha se mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë “është çështje javësh, dhe jo vitesh”.

    Escobar tha se bëhet fjalë për “një marrëveshje për rrugën përpara”.

    “Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke pasur parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, të gjithë duhet të ngrihen dhe të marrin përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ne do të donim ta shihnim Kosovën që të rreshtohet më shumë sa i përket çështjeve të stabilitetit rajonal dhe kjo është mënyra se si mund ta bëjnë”, tha ai në Kanal 10. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!