×
  • Lajme
  • Lajme

    Escobar tha se nëse Sali Berisha e merr PD-në SHBA s’do të ketë marrëdhënie normale me të, analisti shqiptar: Normë korrekte

    Reporteri
    28 Janar 2022 | 16:57

    Autor: Bledë Krasniqi


    Gabriel Escobar, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, njëherit Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, në një intervistë ekskluzive dje për Gazetën Online Reporteri.net ka folur edhe për qëndrimin amerikan rreth situatës së krijuar në Partinë Demokratike në Shqipëri pas sanksionimit të ish-kryetarit Sali Berisha.

    Synimet e Sali Berishës për ta eliminuar kryetarin aktual të PD-së Lulzim Basha, Escobari i ka quajtur si jo normale. Sipas tij, nuk është e pranueshme që një person i sanksionuar për korrupsion të jetë fytyra e ndonjë partie.

    “Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, tha Escobar në intervistën ekskluzive dhënë për Gazetën Online Reporteri.net.

    E këtë deklaratë të tij, analisti nga Shqipëria Armand Plaka po e sheh si një riartikulim të pikëpamjeve të shprehura më herët nga ai dhe përfaqësues të SHBA-së në Tiranë. Plaka tha se ishte intervista e Gazetës Online Reporteri.net ajo që e vëri në dijeni të pikëpamjeve të fundit të Escobarit rreth çështjes Basha-Berisha.

    Analisti Plaka theksoi se Berisha do duhej t’i përmbahej një zotimi verbal që kishte bërë në pranverë të vitit të kaluar, ku kishte thënë se shpalljen e tij “non-grata” do ta shihte si një problem personal e jo ta ngarkonte PD-në me një barrë politike e morale.

    “Falë jehonës që mediat i bënë edhe në Shqipëri intervistës që “Reporteri” kishte zhvilluar dje me të Dërguarin Special të Presidentit Biden për rajonin tonë, z. Escobar, jam vënë në dijeni të pikëpamjeve të tij më të fundit rreth çështjes Basha-Berisha. Në fakt ato janë vetëm një riartikulim i pikëpamjeve të shprehura prej tij dhe përfaqësuesve të SHBA në Tiranë e Uashington për një çështje që po e mban peng politikën e ditës e posaçërisht atë të krahut opozitar në Shqipëri prej së paku 4-5 muajsh, qëkurse Kryetari i PD-së z. Basha mori vendimin për të zbatuar largimin apo pezullimin e liderit historik të PD-së, z.Berisha nga grupi parlamentar i PD-së më 9 shtator 2021. Mendoj se z.Berisha qysh në krye të herës duhej t’i ishte përmbajtur një zotimi verbal që ai pati bërë në pranverë të 2021, në kohën kur edhe u bë publik vendimi amerikan për shpalljen e tij “non-grata“, sipas të cilit ai do ta shihte këtë çështje si një problem personal e nuk do ta ngarkonte si pasojë grupimin parlamentar të PD-së në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë, e si rrjedhojë edhe vetë Partinë Demokratike me një barrë të vërtetë politike e morale para së gjithash”, tha Plakatë premten për Reporteri.net.

    “Përsa i përket asaj që z.Escobar ka thënë se “synimet e Sali Berishës për ta hequr Lulzim Bashën nga pozita e kryetarit të PD-së i sheh si jo normale”, mendoj se kjo tashmë është një çështje e vetë anëtarësisë së PD, forumeve e lidershipit të saj dhe përderisa Berisha ka vendosur të luftojë, kjo luftë kuptohet se do sillte një produkt e nuk mund të ndalohej dot përveçse me vetë dëshirën e z.Berisha.”, shtoi Plaka.

    Gabriel Escobar për Reporteri: ‘Status quo’ në Dialog po e boshatisë Kosovën, njerëzit po ikin – Asociacioni nuk e cenon sovranitetin

    I pyetur për deklaratën e Escobar i cili ka theksuar se SHBA-ja e ka bërë të qartë, që nëse PD-ja udhëhiqet nga një person i sanksionuar për korrupsion, nuk pritet që të ketë marrëdhënie normale mes dy vendeve, Plaka e quajti si qëndrim korrekt.

    “Por sikurse dihet, vendimi amerikan nuk përbën një vendim gjykate dhe as të detyrueshëm ligjërisht për t’u bërë publike faktet që kanë çuar në atë vendim. Kjo është mënyra se si ata operojnë dhe kjo nuk është hera e parë, pasi e kanë bërë këtë tashmë në shumë raste të tjera me liderë të rajonit, të Rusisë, të Afrikës e mbarë botës, të cilët si pasojë e punës, fakteve, dëshmive apo dhe indicieve që mbledhin e analizojnë agjensitë e saj të specializuara, arrijnë në të tilla përfundime, për të cilat pra z. Escobar është vetëm zëdhënësi më fundor. Në këtë kontekst, qëndrimi i këtij të fundit më duket korrekt, pasi kjo është normë e sanksionuar tashmë në të gjitha veprimet diplomatike e politike të SHBA-së, shprehur nga përfaqësuesit e saj respektivë”, theksoi analisti Plaka për Reporteri.net.

    Përgjigja e Escobar për Reporteri.net u bë temë diskutimi mbrëmë edhe në emisionin Opinion në TV Klan, ku ishte i ftuar vetë Sali Berisha. I pyetur për këtë deklaratë, ish-kryeministri shqiptar tha se DASH nuk ka nxjerrë asnjë provë ndaj tij.

    “Deklarimi non grata i Sali Berishës është ngritur mbi shpifje të Ramës dhe Sorosit. Për këtë kam hedhur në gjyq sekretarin amerikan të shtetit Blinken. E kam bërë këtë me shumë dhimbje. Kjo është një vepër e Sorosit që unë e kam shpallur non grata që në 2017. Po erdhi PD në pushtet Soros do të shpallet non grata”.

    “Ata nuk bashkëpunojnë me mua? Unë jam i bindur se SHBA korrigjojnë gabimet. Yuri Kim tha se ka pasur “zero” heqje të non grata, por ka pasur me dhjetëra heqjesh të tyre. Unë kam shkuar në një vend ku kreu i parlamentit anëtar të NATO dhe BE ishte shpallur non grata nga SHBA”, tha Berisha.

    “Këta me teorinë “fakte kemi, por nuk i themi” nuk mund të jenë të besueshëm. Në atë deklaratë të Escobar, asnjë rresht, asnjë deklaratë nuk ndryshon të vërtetën. Nëse një fakt i vetëm del për mua unë marr të gjitha vendimet që më takojnë” – tha ish-kryeministri shqiptar në “Opinion”.

    Nga ana tjetër, analisti Plaka në bisedën për Reporteri.net foli edhe për protestën e 8 Janarit në Shqipëri, protestë kjo e cila kishte për qëllim marrjen e kontrollit të selisë së PD-së nga ana e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij.

    “Sigurisht se aksioni i z.Berisha ka bërë që të dalin në pah shumë probleme të rënda në një parti politike të rëndësishme shqiptare, simptomat e të cilës i reflektojnë thuajse të gjitha partitë politike në vend, dhe kjo në një anë është një zhvillim pozitiv, prej të cilit pritet të nxirren shumë mësime, pavarësisht se në një tjetër sens, e gjitha kjo ka sjellë përçarje, kaos dhe përplasje (jo vetëm verbale madje). Përplasja e 8 janarit është shembulli më evident për këtë që thashë. Ishte një përplasje që s’duhej të ndodhte dhe fajtor për këtë bëj të dy krerët e formacioneve, si Bashën si Berishën. Të paktën atë përplasje duhej t’ia kishin kursyer demokratëve, publikut, shqiptarëve. Realiteti tregoi se selia as nuk mund të merret dot me dhunë e as nuk mund të mbrohet dot me dhunë e se dyert për këdo anëtar duhet të jenë të hapura. Sidoqoftë, tashmë palët duket se janë në dy llogore të ndryshme dhe kanë ravijëzuar synimet e veta, nga të cilat valenca e tyre politike pritet të gjykohet nga votat që do marrin, e si rrjedhojë them se metri paraprak do të ishin zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, nga të cilat me shumë kërshëri publiku do mund të shohë rezultatet për të parë edhe ecurinë e dy kampeve rivale në PD”, tha Plaka.

    Aso kohe kur ishte mbajtur protesta kishte reaguar edhe emisari Escobar i cili kishte dënuar dhunën dhe ishte shprehur se ajo nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.

    Në protestën e 8 Janarit pati veprime të ndryshme dhune, ku ndërhyri edhe Policia e Tiranës e ku të arrestuar përfunduan 34 persona. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!