×
  • Lajme
  • Lajme

    “Është dëshmuar se Serbia kishte qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve”, përkujtohet masakra e Reçakut

    Reporteri
    15 Janar 2022 | 20:26

    Sot në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut krerët e shtetit kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Reçak.

    Në ceremoninë e organizuar për nder të kësaj masakre, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se kjo masakër ka qenë ngjarja ku bota përfundimisht e kuptoi se çfarë ka bërë regjimi i Millosheviqit në Kosovë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “23 vjet më parë jo shumë larg nga vendi ku sot të gjithë bëjnë nderimet e tyre, bota u neverit dhe e kuptoi përfundimisht nga pamjet makabre të masakrës së Reçakut, krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare. Civilëve duarthatë, mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit të gjenocidal të Millosheviqit”, deklaroi Osmani.

    Më tutje, deklaroi se kjo masakër ka dëshmuar se Serbia kishte qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve.

    Presidentja theksoi se e vërteta për Reçakun është e fuqishme dhe nuk mund të ndryshohet.

    Gjatë fjalës së tij, kryeministri Albin Kurti theksoi se ishte pikërisht masakra e Reçakut ajo që vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake për të mbrojtur popullin e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    “Kjo masakër bëri që qeveria e atëhershme jugosllave ta shpallë ambasadorin Ëalker si persona non-grata, që e pat cilësuar Reçakun si mizori e papërshkrueshme dhe krim i madh kundër njerëzimit e që u dënua ashpër nga qeveritë demokratike perëndimore. Vjen një ditë kur përballë spektaklit të përgjithësuar të dhunës, vrasja duhet të marrë përmasat e gjenocidit që të marrë vëmendje. Vetëm si masakër, vrasja merr përmasa mediatike. Duhej një Reçak që perëndimi të kuptonte se kur kasaphnja nuk ndalet ajo mund të kthehet në normalitet. Reçaku është një datë vendimtare në shekullin tonë, jo vetëm një masakër. Ishte pikërisht ajo që vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake për të mbrojtur popullin tonë”, është shprehur Kurti në ceremoninë e organizuar për nder të Reçakut.

    Në këtë ceromoni i pranishëm ishte edhe ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili theksoi se askush nuk duhet të harrojë e aq më pak të mohojë se çka ndodhi në Reçak, 23 vite më parë.

    Hovenier tha se në përgjigje të mizorive që ndodhën në Reçak, SHBA-të vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur. Ambasadori i ri amerikan në Kosovë ka përsëritur se ky ishte një akt vrasës i qëllimshëm që synonte të ngjallte frikë te njerëzit.

    Masakrën e Reçakut e ka përkujtuar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abott i cili ka thënë se 45 civilet e pafajshëm që u vranë në këtë masakër ende nuk kanë gjetur drejtësi.

    “Sot në mëngjes iu bashkova përkujtimit për të nderuar dhe kujtuar viktimat e masakrës në Reçak. 23 vjet më parë, 45 civilë të pafajshëm u vranë në një dhe ende nuk kanë gjetur drejtësi. Ne nuk do të harrojmë kurrë”, ka shkruar Abbott.

    Ndër masakrat më të rënda në Kosovë të kryera nga forcat serbe është masakra e 15 janarit në Reçak.

    Më 15 janar 1999 kriminelët dhe paramilitarët serbë bënë një masakër makabre në popullatën civile, ku u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë.

    Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon të ketë kryer masakër. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!