EULEX konfirmon: Ne kryem aksionin e arrestimit për Gjykatën Speciale

Misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka konfirmuar sot arrestimin e Salih Mustafës, ish-pjesëtar i UCK-së.


Nga ky mision për Gazetën Online “Reporteri.net” kanë konfirmuar se EULEX për arrestimin e Salih Mustafës i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Zyrës së Prokurorit të Specializuar në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

“Siç është cekur në komunikatën për shtyp, të lëshuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZSP), sot në Kosovë është arrestuar Salih Mustafa nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të urdhërarrestit, urdhrit për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike ZSP-së në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e EULEX për Reporterin.

Ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitin e quajtur BIA, Salih Mustafa, është i arrestuari i parë prej kur u formua Gjykata Speciale në vitin 2015. /Reporteri.net