Familja e Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u vra me porosi nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, ka një thirrje publike për institucionet e Kosovës që trupi i familjares së tyre të prehet në vendlindjen e saj.
Këtë kërkesë e ka përsëritur në emër të familjes vëllai i saj, Leonard Ademaj.
“Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonën ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj”, ka shkruar ai.
Trupi i Liridona Ademajt u varros të premten në fshatin Cermjan të Gjakovës, nga vjen bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Por pas arrestimit të Murselit si i përfshirë në vrasjen e saj, familjarët po kërkojnë ta zhvarrosin trupin.
Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Dy ditë më vonë, pak pas varrimit të saj, ndodhën arrestimet e para.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, janë arrestuar mbrëmë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Murseli i cili është bashkëshorti i të ndjerës dyshohet se kishte porositur vrasjen, që ishte ekzekutuar nga Plava për 30 mijë euro. Raportohet se të dy e kanë pranuar fajësinë para hetuesve. Ndërkohë, i arrestuari i tretë, Kushtrim Kokalla, sipas raportimeve, ka mohuar të ketë lidhje me rastin.
Prokuroria ka përpiluar tashmëp kërkesën për paraburgimin e Naim Murselit dhe dy të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është përpiluar nga Prokurorja e Shtetit ndaj tre personave të dyshuar, të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë dhe brenda afatit ligjor do të delegohet në gjykatë
Të dielën do të mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe dy personave të tjerë, tashmë të arrestuar nën dyshimin për vrasjen e Liridona Ademaj.
Kështu bëri të ditur për Reporteri.net gjatë ditës së sotme zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, teksa ka shtuar se seanca do të fillojë në ora 09:30, në Prishtinë.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.
“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.
“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Të martën, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të organizohet protestë në mbrojtje të grave pas rastit të fundit të vrasjes së Liridona Murselit, ngjarje që dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestën, të cilën po e quajnë “gjithëpopullore”.
“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftimin e tyre.