×
  • Lajme
  • Lajme

    Fatmir Sheholli zbulon prapaskenat si u bindën Adem Hoxha e Fadil Gashi ta votojnë Vjosa Osmanin

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 21:06

    Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli ka folur për prapaskenat e bisedimeve të kryeministrit Albin Kurtit me deputetët minoritarë Adem Hoxha dhe Fadil Gashi për sigurimin e votave të tyre për votimin e Vjosa Osmanit, presidente të Kosovës.


    Sheholli ka thënë se pasi të shtunën dështoi sigurimi i votave për Vjosa Osmanin, të dielën ai ka takuar përfaqësuesit e komuniteteve.

    Por Sheholli thotë se kjo nuk iu kërkua asnjëherë nga kryeministri Kurti dhe Vjosa Osmani, tash presidente e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Ai ka thënë se nuk ka qenë ‘sekser’, por i takon shoqërisë civile që të merret më këto çështje.

    “Ka pasur njerëz që janë marrë me këtë çështhje, ka pasur nga ata që na quajnë sekser.
    E vërteta është vetëm një. Instituti i ka katër zyra në tërë territorin e Kosovës dhe ne para se të futeshim në këtë çështje për zgjedhjen e presidentit pa asnjë takim me Vjosa Osmanin dhe Kurtin, dhe kemi pasur takime të ndryshme jo vetëm këta dy që i përmendët (Adem Hoxha e Fadil Gashi), por edhe deputetë të tjerë. Mirëpo kemi parë nga takimet që do të jetë shumë e vështirë që të arrihen numrat. Të shtunën nuk u arritën votat, aktivistët e institutit kanë biseduar me Iniciativën Rome. Mua me erdhi mirë. Kanë qenë edhe disa përfaqësues të Listës Serbe”, tha ai në Prime Time të Kanal 10.

    Ai ka thënë se atë ditë ka qenë e vështirë të komunikohet me deputetin goran, Adem Hoxha.

    “Hoxha atë ditë i ka shkyqur telefonat dhe besoj që kjo ka qenë ndikim i Listës Serbe, sepse ata janë në mbikqyrje të tyre. Në asnjë moment nuk kemi pasur takim as me Kurtin as me Vjosën. Unë kam marrë telefonatë nga z.Milazim Gashi që të takohem ne një hotel në Prishtinë. Ai e ka shprehur bindjen e tij që të marrin pjesë në seancë. z.Gashi më ka thënë, se unë e di që ka lidhje të ngushta me listën Guxo. Unë jam angazhuar që të shohim ku janë këta njerëz dhe pse nuk po vijnë. Informacionet kanë qenë që Adem Hoxha ka marrë premtime nga Kurti, por ato nuk janë vendosur në letër. Kam marrë vesh që Hoxha do të vinte në seancë nëse rregullohet çështja e zëvendësministrit”, tha Sheholli në Kanal10, shkruan Reporteri.net.

    Sheholli ka theksuar se Kurti dhe Adem Hoxha janë takuar të dielën në ora 15:00.

    “Unë e di që takimi ka qenë në ora tre atë ditë dhe çka ka pasur në takim mes Hoxhës dhe Kurtit është mirë t’i pyesni ata, por Hoxha ka marrë pjesë në seancë dhe ka votuar si Fadil Gashi. Unë nuk i them kësaj tregti sepse ata janë deputetë që kanë ardhur në seancë dhe kanë votuar. Kur Kurti është marrë vesh me Adem Hoxhën atëherë ka pranuar edhe z. Gashi”, është shprehur ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!