×
  • Lajme
  • Lajme

    Fillimisht takime veç e veç me ndërmjetësuesit, pastaj mbahet takimi i përbashkët Kurti-Vuçiq

    Reporteri
    18 Mars 2023 | 8:31

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen fillimisht veç e veç me ndërmjetësuesit e bisedimeve: shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

    Pas këtyre bisedimeve do të pasojë takimi i përbashkët.

    Borrell tha një ditë më herët se ka pranuar komentet e palëve në lidhje me aneksin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve”, tha Borrell më 17 mars, pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut në Shkup.

    Në tryezë të diskutimeve gjendet aneksi i zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.

    Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

    SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!