×
  • Lajme
  • Lajme

    Flet aktori, mik i Putinit që u takua me Kurtin e Ramën: Millosheviq ishte monstër, prandaj bëj film për të

    Reporteri
    01 Nëntor 2019 | 10:29

    Aktori i njohur francez, Gerard Depardieu që së fundmi u bë temë në media për fotografinë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe kreun e VV-së Albin Kurtin në një intervistë ka folur për lidhjen me Shqipërinë, ku ka shtuar se e ka njohur që nga lufta e Kosovës. I njejti ka folur edhe për Millosheviqin.


    Depardieu prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri. Në Gjirokastër po xhirohen pjesë nga filmi “Milosheviçi dhe unë”. Gjatë kësaj kohe ka njohur më mirë vendin tonë, ndërkohë që u takua edhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Albin Kurtin, që pritet të formojë qeverinë e re në Kosovë. Ai ka dhënë një intervistë për A2.

    Mirëserdhët në Shqipëri dhe faleminderit për këtë bisedë. Besoj që e vizitoni vendin tonë për herë të parë…

    Po është hera e parë që vij në Shqipëri. E njoh Shqipërinë që nga koha e luftës së Kosovës, kur shihja që shqiptarët kalonin malet plot me dëborë për të ardhur këtu, kur kishte luftë. Ishte koha e monstrës Milošević, e për këtë jemi këtu për filmin “Unë dhe Milošević”. Kemi këtu një Milošević, jo të vërtetë, një aktor me maskë.

    Por, më pëlqeu shumë Shqipëria. Mua më pëlqen Ballkani, Shqipëria, Serbia. E di që Serbia kishte Milošević, por mua më pëlqen vendi, Ballkani, jo politika. Europa po merr tatëpjetën, me Brexit dhe me gjithë situatën ku ndodhet tani, nuk është mirë. Duhet të ketë një unifikim të Ballkanit.

    Kur zoti Macron nuk ishte pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, kjo tregon sërish se Bashkimi Europian nuk është mirë aktualisht, por nëse ju jeni të fortë mund të unifikoheni në një bashkim ballkanik dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë në vitet e ardhshme, ju mund të jeni më të fortë.

    Çfarë mund të na thoni për karakterin tuaj në filmin që po xhironi?

    Ai është një avokat, por duhet të pyesni Arbenin se çfarë do të bëjë me këtë personazh. Sepse ai e ka jetuar luftën e Kosovës, dhe periudhën pas lufte. Ajo që nuk kuptoj unë në trekëndëshin Kosovë-Serbi-Shqipëri, edhe tani pas lufte, është se nuk mund ta lënë pas atë që ndodhi dhe të bashkohen, ndoshta edhe në një union ballkanik siç thashë më herët. Është njëlloj si historia e Nazizmit, e gjermanëve apo idetë diktatoriale sovjetike. Këto janë biseda diktatoriale, të dala nga moda. Janë njëlloj nazizmi, diktatura, apo njëlloj si konfliktet e besimeve fetare. Prandaj është mirë që të gjejmë filozofinë në besimin që kemi.

    Meqenëse jemi duke folur për politikën, gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë, jeni takuar me kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Për çfarë u fol në Kryeministrinë shqiptare?

    Edi është politikan, por së pari ai është artist. Më pas ai u takua me politikën dhe e ndjeu veten shumë mirë. Është një opsion shumë i mirë të kesh një shpirt artisti dhe të bësh politikë me këtë frymë. Por, mua nuk më pëlqen politika. Më pëlqeu Edi, por me të nuk fola për politikë.

    Unë kam takuar shumë personalitete politike, por nuk flas me ta për politikë. Erdha këtu, ata më ftuan për një darkë dhe unë shkova. Ata më folën për vendet e tyre, për historinë dhe për luftën që kishin kaluar. Ishin shumë të tronditur nga lufta, dhe në fakt të gjithë tronditen nga lufta. Por unë mendoj se pas lufte duhet të bëheni të fortë për të ndërtuar një union ballkanik. Shpresoj të jetë kështu.

    Ju zgjodhët që të bëheshit rus, pak vite më parë. Ishte një zgjedhje për të qenë më i lirë?

    Hollande më përzuri nga Franca, ndërsa Putin më mirëpriti. Me të bëra një bisedë interesante për politikën dhe sot ndihem i lirë të flas për gjithçka që dua. Putin është mjaft i zgjuar dhe unë ndihem I lirë.

    Pra, kjo ka qenë një zgjedhje e juaja për të qenë më i lirë si qytetar?

    Unë jetoj tani në Rusi, dhe ndihem sikur kam pasaportën e gjithë botës. Dhe unë e konsideroj veten si qytetar të të gjithë botës. Unë nuk i gjykoj politikat. Unë mund të them se nuk jam dakord me Erdogan, pasi mendoj se ai po bëhet një Kalif tjetër, kjo është shumë e vështirë, unë nuk arrij ta kuptoj, por s’kam çfarë t’i bëj politikës.

    Por Turqia është diçka tjetër. E kam vizituar atë dhe kam gjetur një vend shumë të bukur. E kam studiuar historinë e Perandorisë Osmane, njëlloj si atë Romake. Por tani jemi në vitin 2020 dhe është koha që ne të përpiqemi ta kuptojmë njëri-tjetrin më mirë. Dhe kjo më pëlqeu te Edi, ashtu sikurse më pëlqen Aleksandri i Serbisë.

    Ju keni braktisur shkollën në moshën 13-vjeçare dhe u larguat nga shtëpia për të shkuar në Paris kur ishit vetëm 16 vjeç. Një ditë në një sallë teatri ju vendosët të bëheshit aktor. Çfarë ndjesie ju ka shtyrë drejt aktrimit?

    Jo, nuk doja, madje nuk kam ëndërruar asnjëherë të bëhem aktor. Doja vetëm të flisja e të dëgjohesha. Desha të mësoja se si të flisja. Duke lexuar dhe duke folur mund të dëgjohesha, mund të ngrija zërin. Dhe aty gjeta fjalët dhe ekuilibrin tim. por, nuk ëndërroja të bëhesha aktor.

    Kishte shumë filma të bukur atëherë, shumë filma, regjisorë dhe aktorë të mirë atëherë, si kinemaja italiane me Marcello Mastroianni, Marco Ferreri, Mario Monicelli, Alberto Sordi, dhe shumë e shumë të tjerë, edhe Franca kishte shumë. Por tani filmat e mirë nuk ekzistojnë më. Përveç disa serialeve. Sot na ka mbytur teknologjia. Kjo gjëja këtu i ka vjedhur të rinjve trurin, dhe sot të rinjtë nuk dinë të lexojnë, të shkruajnë e të flasin. Nuk ka asgjë të keqe t’i përdorim kompjuterët, por nuk është mjaftueshëm.

    Mendoj se një nga filmat më të mirë që keni realizuar është “Green Card”. Mendoj se pjesa ku ju luani piano është skena më e fuqishme që mund të realizojë një aktor. Në fillim nuk doni të luani në piano dhe unë si publik gjendem në një gjendje ankthi. Sapo personazhi, George, nis të luajë, pa diskutim shkakton të qeshura. Por, menjëherë pas kësaj George nis të luajë piano dhe të recitojë. Këtu nis përlotja. Në një skenë që zgjat më pak se 5 minuta publikun e ushqeni me 3 gjendje të ndryshme emocionale…

    “Green Card” është vërtet një nga filmat specialë të Peter Ëeir, një regjisor australian që nuk i pëlqente shoqëria amerikane, madje as klasa e mesme e kësaj shoqërie. As unë nuk e dua shoqërinë amerikane. Janë gati të akuzojnë për çfarëdolloj gjëje, shumë aktorë kishin një jetë të shthurur, gratë pinin shumë. Janë një shoqëri pa histori.

    Unë kam dashur gjithnjë të ndryshoj fundin e filmit “Konti i Monte Kristos”. Ju ka ndodhur të dëshironi një fund tjetër për ndonjë nga filmat ku luani?

    Jo tamam ndryshimin e një filmi. Do të doja të kishte falje. Alexander Dumas e ka përshkruar Kontin e Monte Kristos shumë të nxirë, të veshur jo mirë, duke tymosur, një figurë e nxirë… gati për hakmarrje dhe hakmarrja është shumë e bukur për kinematografinë, por mënyra më e mirë për të jetuar është të falësh dhe të jetosh i qetë. Këtë do ndryshoja. Sa më shpejt të mbyllësh hesapet me hakmarrjen, është më mirë. Dashuria është zgjidhja. Pas hakmarrjes duhet të mbetet veç dashuria për të filluar një jetë të re.

    Ju vetë besoni vetë në një Zot?

    Jo, nuk besoj. Unë besoj se Zoti është brenda secilit prej nesh. Unë mendoj se filozofia e hebrenjve, unë bëhem zot i vetes, është e sakta. Kabhal thotë kështu. Unë mendoj se ka një fuqi, por nuk besoj në Zot.

    A jeni penduar për ndonjë gjë në jetë?

    Jo, edhe nëse jam penduar për ndonjë gjë ndonjëherë, unë nuk jam kthyer pas. Sepse nëse pendohesh atëherë t’i mbetesh në të shkuarën dhe unë nuk i jam kthyer asnjë pendese. Unë jam optimist. Kaq.

    Keni pasur shumë të dashura, jeni martuar tre herë…

    Jam martuar vetëm një herë zyrtarisht, por kam pasur tri marrëdhënie serioze.

    Cila është gruaja juaj ideale?

    Të gjitha femrat janë ideale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!