×
  • Lajme
  • Lajme

    FOL: Performancë e dobët e prokurorive në luftën kundër korrupsionit, shqetësuese bartja e lëndëve

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 13:47

    Nga 646 lëndë të korrupsionit sa ishin në vitin e kaluar, prokuroritë kanë arritur të trajtojnë 329 prej tyre. Ndërkaq 317 kanë ngelur të pa trajtuara dhe janë bartur për këtë vit.


    Me fluksin më të madh të lëndëve gjatë kësaj periudhe është përballur Prokuroria Themelore të Prishtinës, ndërkaq ajo e Mitrovicës ka arritur normën më të ulët të qarkullimit të lëndëve si dhe indeksin më të lartë të lëndëve të grumbulluara.

    Kështu është bërë e ditur në publikimin e raportit të Lëvizjes FOL, me temën “Performanca e Prokurorisë në Luftën Kundër Korrupsionit 2020”.

    Albana Hasani nga Lëvizja Fol theksoi se të dhënat e raportit janë të Këshillit Prokurorial të Kosovës ku matet performaca e organeve të hetuesisë, cilësia dhe efektivitetit në sistemin e drejtësisë, raporton KP.

    “Shqetësuese vazhdon të mbetet bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit. Gjatë vitit 2020 ishin bartur gjithsejtë 267 lëndë të korrupsionit nga viti paraprak. Sipas metodologjisë të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, norma e zgjedhjes së lëndëve të korrupsionit rezulton të jetë 87 për qind, ky rezultat ka ardhur si rrjedhojë e faktit se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe ishte më i ulët se sa numri i lëndëve të reja të krijuara gjatë vitit 2020”, thekson Hasani.

    Veç tjerash, ajo shtoi se kohëzgjatja e përfundimit të të gjitha lëndëve të korrupsionit të Prokurorisë Speciale dhe të shtatë Prokurorive Themelore që janë bartur në vitin 2021 do të jetë 354 ditë.

    Tutje, bëri të ditur se fluksin më të madh të lëndëve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe e ka pasur Prokuroria Themelore në Prishtinë me 221 lëndë. Ndërkaq, me më së paku ajo e Gjakovës me 27 lëndë të korrupsionit.

    “Prokuroria që ka arritur rezultatet më të mira në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë kësaj periudhe, ishte Prokuroria Themelore e Gjilanit, e cila gjatë kësaj periudhe e ka arritur numrin më të lartë të qarkullimit të lëndëve dhe indeksin më të ulët të lëndëve të grumbulluara. Nga 41 lëndë sa ka pasur në punë kjo prokurori, ajo ka arritur të zgjidh 33 prej tyre, ndërsa 8 i ka bartur për vitin 2021. Ndërsa, prokuroria me rezultatin më të ulët në trajtimin e lëndëve të korrupsionit është e Mitrovicës, e cila gjatë kësaj periudhe ka pasur në punë 100 lëndë, ka arritur të trajtoj vetëm 17”, ka njoftuar ajo gjatë publikimit të raportit.

    E, drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani theksoi se bartja e lëndëve nga një vit në tjetrin tregon se nuk po gatishmëri në trajtimin e këtyre rasteve që kanë të bëjnë në korrupsionin.

    “Kjo tregon se sa është punuar nga prokurorët. I patëm 100 lëndë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë edhe vetëm 17 prej tyre gjatë tërë vitit. Tash e kemi parasysh, viti 2020 ka qenë edhe pandemia edhe mund të thirren pak në pandemi, por fatkeqësisht nuk mund të arsyetohen se nuk kanë mund të kryejnë punët që i kanë të parapara”, ka shtuar ajo.

    Në 646 lëndë të Prokurorit të Shtetit, mbi 1500 persona kanë qenë pjesë e ndjekjes së hetimit. Prej tyre, rastet e 697 persona janë trajtuar, ndërsa rastet e personave tjerë janë bartur për këtë vit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!