×
  • Lajme
  • Lajme

    Foto e nxënësve me përshëndetje ushtarake, flet mësuesi nga Prizreni

    Reporteri
    21 Tetor 2019 | 19:35

    Një foto e publikuar me nxënësit e tij, duke mbajtur flamurin turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake, mund t’i kushtojë me suspendim ose përjashtim nga puna mësimdhënësit Selver Shantir.


    Menjëherë Drejtoria e Arsimit dhe Inspektorati i Ministrisë vizituan shkollën fillore “Motrat Qirazi” në Prizren, ku punon Shantiri.

    Vetë Shantiri nuk ka dashur të flasë para kamerës, por në deklaratën dhënë Inspektoratit ka thënë se foto nuk ishte me asnjë paramendim politik, fetar apo racor.

    Ai, duke kërkuar falje publike, ka sqaruar qëllimin e fotografisë, e cila, sipas tij, është bërë javën e kaluar.

    “Me datë 13 . 10. 2019 me nxënësit e mi patëm orë të edukatës fizike dhe pas përjetimeve për kualifikimin e ekipit të Turqisë në ‘Euro 2020’ edhe nxënësit e mi kërkuan nga unë që të bëjnë gjestin e njëjtë si lojtarët e Turqisë pasi që edhe ata fituan ndeshjen e tyre. Por, fotografia ime është përdorur sidomos nga disa persona dashakeq që të bëjnë përçarje në shkollën tonë e postimin tim e kanë lidhur me ngjarjen në Prishtinë, por që kjo me ne nuk ka të bëjë fare. Asnjëherë nuk kam pasur qëllim që dikujt apo dikë ta poshtëroj apo ta ofendoj në çfarëdo baze qoftë nacionale, fetare apo racore”, ka thënë Shantir, transmeton KTV.

    Drejtori i shkollës ka pranuar se mësimdhënësi ka shkelur të drejtat e fëmijëve, teksa ka theksuar se me Shantirin nuk kishin asnjëherë probleme.

    Bashkë me drejtoreshën e arsimit në Prizren, kanë thënë se janë duke e shqyrtuar rastin në koordinim me Inspektoratin e Arsimit.

    Kryeinspektori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi, ka thënë se pas kompletimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit nga inspektorët në terren, do t’i rekomandojnë Komunës për masat që duhet ndërmarrë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!